Aksident, një i vdekur e tre të plagosur
Një i vdekur dhe tre të plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti rrugor të ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor Përrenjas- Librazhd, në qendër të Komunës së Qukësit. Mësohet se një makinë e tipit "Mercedes Benz", me targa KO2899B, që drejtohej nga 47-vjeçari Gjergji Raidhi, është përplasur me një mjet tjetër me targa angleze, K900EYE, i drejtuar nga 33-vjeçari Altin Karriqi, nga qyteti i Përrenjasit. Për pasojë janë plagosur rëndë drejtuesi i mjetit me targa të Korçës, Gjergji Raidhi, vajza e tij, Meli 18-vjeçare, dhe Çiljeta Dhimitri, 39 vjeçe, e cila ka humbur jetën menjëherë. Nga ana tjetër është plagosur rëndë edhe drejtuesi Karriqi, që bashkë me dy të plagosurit e tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Rrethit të Librazhdit. Ndërkohë, policia ka nxjerrë si shkak fillestar shpejtësinë e të dyja mjeteve që u përfshinë në ngjarjen rrugore, por është duke hetuar rreth zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Be.Dy.
Be.Dy.