E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident para policisë, ikën autori

 

TIRANE – Ikën nga vendi i ngjarjes, autori i aksidentit që shkaktoi plagosjen e rëndë të një 49-vjeçari pranë Ministrisë së Jashtme. Një makinë tip “Benz”, e cila po lëvizte me shpejtësi nga Bërryli, në drejtim të Ministrisë së Jashtme në unazë, ka përplasur një kalimtar, i cili ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. I plagosur ka mbetur 49-vjeçari, Qemal Muça, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ndërkohë personi që e ka aksidentuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa i dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Policia ka mundur vetëm të zbulojë tipin e makinës që ka aksidentuar 49-vjeçarin, që është “Benz”, por ende nuk di më shumë as për drejtuesin e automjetit, madje as targën. Burime nga policia bënë të ditur se janë marrë në pyetje disa nga dëshmitarët që janë ndodhur në vendngjarje në kohën e aksidentit, por as ata nuk kanë mundur të japin më shumë detaje rreth ngjarjes, pasi sipas tyre gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi, sapo ka përplasur Qemal Muçën. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të makinës, por pa mundur të zbulojë asgjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›