Skandali me ish-ministrin Pango, prokuroria në dilemë për hetimin
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme duket se është në dilemë për hetimin e abuzimeve të dyshuara seksuale nga ish-ministri i Kulturës Ylli Pango. Procesi i hetimit që nisi me bujë një ditë pas transmetimit të imazheve filmike, ku zyrtari i lartë dyshohet se ka kërkuar favore seksuale nga vajzat që aplikonin për punë, tani është rrethuar me një heshtje varri. Nga burime të organit të akuzës mësohet se ditët e fundit çështja është bërë objekt analizash, përfshi edhe materialet dhe informacionet e grumbulluara deri më tani. Megjithatë, burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, refuzuan në mënyrë kategorike të konfirmojnë nëse për çështjen “Pango” ka filluar procedim penal apo është vendosur mosfillimi i hetimeve. Pak ditë më parë, organi i akuzës dha konfirmime, sipas të cilave, në Prokurorinë e Përgjithshme ishte regjistruar një procedim penal që bënte fjalë për veprën penale të “tentativës së marrëdhënieve seksuale, duke shpërdoruar detyrën”. Sipas këtij informacioni, procedimi penal ishte filluar për krimin e dyshuar porse në regjistrin penal të Prokurorisë nuk kishte asnjë emër të shënuar në kuadër të kësaj dosje. Të dhëna të tilla nga Prokuroria, u konsideruan procedurale, për shkak se ish-ministri Pango gëzon mandatin e deputetit dhe emri i tij nuk mund të shënohet në regjistrin e veprave penale pa një autorizim nga Parlamenti me heqjen e imunitetit. Në kohën kur ka kaluar afati 2-javor i verifikimit të materialeve të para që u mblodhën nga prokuroria, organi qendror i akuzës nuk dha asnjë konfirmim për fatin e çështjes. Grupi i hetimit mësohet se ka kryer disa verifikime që kanë të bëjnë me materialin e bërë publik në emisionin “Fiks-Fare”. Janë kryer gjithashtu edhe verifikime lidhur me vajzat e shfaqura në foto, aplikantja për punë që takoi ish-ministrin në një zyrë në Institutin e tij privat dhe gazetaren e “infiltruar”, që zhvilloi takimin me ish-ministrin në shtëpinë e këtij të fundit, në afërsi të Qytetit Studenti. Duket se Prokuroria e Përgjithshme po tregohet e matur në vendimet e saj, për shkak se fillimi i hetimit do të kërkonte menjëherë heqjen e imunitetit të ish-ministrit që mbetet deputet i PD-së. Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme mësohet se ka marrë për shembull një rast të mëparshëm të një ish-zyrtari të lartë, i cili u shpall i pafajshëm nga gjykatat, pasi u akuzua mbi bazën e videoregjistrimeve të pa autorizuara që u shfaqën në emisionin “Fiks-Fare”. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, duke refuzuar të japin të dhëna konkrete, thonë se çështja po analizohet dhe se fati i dosjes “Pango” pritet të vendoset brenda pak ditëve. tr.so
Hetimi për dy takimet e Pangos
Takimi i parë që është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Përgjithshme, është zhvilluar mes Pangos dhe aplikantes për punë më 11 shkurt 2008. Pas atyre veprimeve që u konsideruan si “ngacmime seksuale”, një gazetare e infiltruar e takoi Pangon disa ditë më pas, me pretekstin e kërkesës për punë. Vetë ish-ministri i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke i konsideruar materialet filmike si një “montaturë mediatike”.