E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Tatim-fitimi nuk është taksë e re, por metodë rakordimi

 

Ministria e Financave ka reaguar dje në lidhje me taksën e tatimit mbi të ardhurat që paguan biznesi i vogël. Në një deklaratë për mediat, zëvendësministri i Financave, Florjon Mima është shprehur se nuk ka penalizim të biznese të vogla nga aplikimi i taksës së sheshtë prej 10 %. “Nuk bëhet fjalë për asnjë taksë të re. Kemi thënë dhe sqaruar disa herë më parë se kjo është thjesht një metodë rakordimi për të kaluar nga taksimi i paragjykuar në taksimin real. Bizneset e vogla, të cilat paguajnë kuotat fikse në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit, në përfundim të vitit do të duhet të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror, duke dorëzuar një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe ne presim që në fund të këtij procesi shumica e bizneseve jo vetëm që nuk duhet të paguajnë takse shtesë, por në të kundërt pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër në komuna dhe bashki”, ka sqaruar Mima. Sipas tij, përsa i përket rimbursimit ai do të përballohet totalisht nga fondet e pushtetit qendror dhe nëse do të ketë të ardhura shtesë ato do të transferohen pranë pushtetit vendor. Sipas Mimës është Bashkia e Tiranës ajo që ka rritur taksat. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të shikojë taksat dhe tarifat vendore, të cilat vetëm nga viti 2007 në vitin 2008 janë rritur me një ritëm nga 25 – 40 për qind. Si taksën e gjelbërt, e cila si një taksë e përkohshme është miratuar vetëm nga Këshilli Bashkiak, pra pa autorizim ligjor specifik; tarifën e pastrimit; taksën e pasurisë” tha Mima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›