Vrau të shoqin pas dhunës fizike, gruaja dënohet me pesë vjet burg
TIRANE – Qëlloi me thikë bashkëshortin, duke e vrarë dhe tashmë i duhet të vuajë 3 vjet e 4 muaj burg. Gjykata e Tiranës përfundoi dje gjykimin në ngarkim të Vitore Suçit, duke e shpallur atë fajtore dhe dënuar me 5 vjet burg. Për shkak se në seancat e mëparshme gjykata kishte pranuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar, Suçi përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Gjatë procesit gjyqësor e pandehura Suçi kishte mbajtur qëndrim pranues ndaj krimit dhe kishte pretenduar se e kishte bërë atë pa paramendim dhe nën kushte të gjendjes së rënduar psikike. Në pretencën e saj, Prokuroria kishte kërkuar nga gjykata dënimin me 6 vjet burg për Suçin. Vendimi i djeshëm u shpall nga gjyqtarja Shefkie Demiri, e cila ishte kryesuesja e treshes gjykuese të kësaj dosjeje. Sipas vendimit të Gjykatës, krimi ishte kryer nga Suçi “nën kushtet e tronditjes së rëndë psikike”. Sipas vendimit të togave të zeza, e pandehura Suçi kishte bashkëjetuar për pak kohë me viktimën Marash Dodi në banesën e tij në Paskuqan. Njohja e tyre ishte mundësuar nga motra e viktimës, e cila punonte në të njëjtin vend me të pandehurën Suçi. Gjatë kohës që kishin jetuar bashkë, ata kishin shfaqur kontradikta të thella çka ishte pranuar në sallën e gjyqit edhe nga të afërmit e viktimës. Më 27 gusht të vitit të kaluar, duke e parë të pamundur bashkëjetesën Vitorina është larguar nga Dodi, për t’u kthyer aty vetëm dy ditë më pas, nën shoqërinë e prindërve për të marrë plaçkat e saj. Aty është rindezur grindja dhe Marashi ka filluar të godasë prindërit e saj. Sipas gjykatës, kur ka parë që Dodi i kishte vënë duart në fyt babait të saj, Vitore Suçi, me një thikë që nuk i përmbush kushtet e armës së ftohtë, ka goditur ish-bashkëshortin në shpatull dhe në kraharor. Plagët e shkaktuara nga goditja me thikë i shkaktuan Marash Dodit vdekjen para se të mbërrinte në spital. Ndërsa pas ngjarjes, e pandehura Suçi është vetëdorëzuar në polici. Sipas gjykatës, për dënimin e Suçit u mor parasysh vetëdorëzimi i saj në polici, qëndrimi pohues ndaj krimit, si edhe fakti që ajo ka një fëmijë të mitur.