E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria, taksë të re mbi biznesin e vogël

 

Aristir Lumezi

Kreu i Bashkisë së Tiranës akuzoi dje qeverinë, se po rëndon barrën fiskale të biznesit të vogël. Ai tha se kryeministri Berisha po e trajton biznesin e vogël njëlloj si biznesin e madh.“Sot biznesi i vogël nuk ka më barrën e lehtësuar, e cila iu premtua në vitin 2005, dhe të cilën ne si pushtet vendor posaçërisht në Tiranë, ia lehtësuam edhe më shumë, duke ulur edhe 30 % të tjera, siç na e lejon ligji, por ka një barrë të plotë fiskale njësoj siç do biznes tjetër i madh”, tha Rama. Në një prononcim për shtyp nga selia e PS-së Edi Rama iu përgjigj akuzave të bëra nga kryeministri Berisha pak ditë më parë për rritjen e taksave vendore nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Unë dëshiroj të tërheq edhe një herë vëmendjen për domosdoshmërinë, që qeveria të sillet në mënyrë të përgjegjshme në raport me pushtetin vendor dhe me sipërmarrjen. Dëshiroj nga ana tjetër të vë theksin tek fakti që nuk ka asnjë barrë të rritur fiskale nga ana e pushtetit vendor, as nga ana e Bashkisë së Tiranës mbi sipërmarrjen e vogël. Por, përkundrazi, biznesi i vogël sot ballafaqohet përveç efekteve të krizës, edhe me efektin e një tatimi mbi fitimin që është një taksë e re, e vendosur nga qeveria shqiptare, që me bilancet e kolauduara të vitit 2008, do të fillojë të prekë xhepat e biznesmenëve të vegjël këtë vit”, tha Rama. Sipas tij, “qeveria dhe Kryeministri, qëllimisht ngatërrojnë tarifat e shërbimit në qytet, të cilat nuk janë taksa të vendosura për arsye politikash, por janë tarifa që bazohen tek kostot e shërbimeve, si pastrimi, gjelbërimi, ndriçimi, mirëmbajtja e kështu me radhë”. Kryetari socialist tha se tatimi mbi fitimin në masën 10 për qind “prek sot biznesin e vogël, dhe bën që praktikisht ky biznes të vuajë nga njëra anë efektet e para të një krize, që po prek çdo ditë e më gjerë në hapësirën shqiptare, duke u fokusuar pa dyshim tek sipërmarrja e pastaj për shkak të sipërmarrjes edhe te familja shqiptare dhe nga ana tjetër duhet të përballet me këtë tatim, i cili është për biznesin e vogël një befasi shumë e papërshtatshme në kohën që vjen”. Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetari i socialistëve, i kërkoi qeverisë të mbështesë sipërmarrjen dhe jo ta rëndojë atë me taksa të reja në momentet kur gjithë bota kalon krizë të rëndë ekonomike dhe pasojat e saj. “Është koha për të parë se si mbështetet sipërmarrja, se si shteti u qëndron në krahë sipërmarrësve, se si ndihmohen ata të cilët po pësojnë efektet më të rënda të një krize, e cila vjen dallgë-dallgë. Pikërisht në këtë kohë Kryeministri dhe Qeveria, jo vetëm nuk bëjnë asgjë në drejtimin e duhur, por ecin në drejtim tërësisht të gabuar, duke rritur në mënyrë të papërballueshme barrën për biznesin e vogël dhe sigurisht duke rritur paralelisht edhe malin e akuzave dhe shpifjeve ndaj kundërshtarëve që qeverisin në nivel vendor”, tha Rama. Kryesocialisti Edi Rama mbylli fjalën e tij, duke i bërë thirrje qytetarëve, që më 28 qershor të votojnë për ndryshimin, i cili “do i japë fund arbitraritetit dhe rrëmujës që ka futur Berisha”.

Taksat per biznesin e vogel

Taksat vendore (ndahet në 7 kategori sipas xhiros, 0-2 milionë lekë deri në 7-8 milionë lekë)

Taksa për zënien e hapësirave publike (për bizneset që kanë zënë sipërfaqe të përbashkëta. Tirana ndahet në 3 zona, tarifa 150 lekë/m2)

Taksa e tabelës (1 mijë lekë për m2 në ditë)

Taska e gjelbër (për biznesin e vogël i cili ndahet sipas kategorive më e ulta është 10 mijë lekë në vit, vjet ishte 5 mijë lekë)

Tarifa e pastrimit (varion nga 6 deri në 45 mijë lekë në vit. )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›