Mjeku në gjyq, 8 raste ryshfeti
Trazhgim Sokolaj
Korrupsion me pacientët në tetë raste dhe pastrim i produkteve të ardhura nga krimi, janë dy akuzat me të cilat Prokuroria e Tiranës dërgoi të pandehur në gjykatë kirurgun Kastriot Dautaj. Ish-mjeku i QSUT-së në kryeqytet, u arrestua më 7 korrik 2008 ndërsa ditën e djeshme, Zyra Task-Force Antikorrupsion përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen në gjykatë. Në përfundim të procedurave të hetimit, sipas burimeve zyrtare, Kastriot Dautaj konsiderohet i pandehur për tetë raste, kur ka marrë ryshfet nga pacientët që ka operuar, kryesisht ata që vuanin nga sëmundjet e veshkave. Nëse shpallet fajtor, kirurgu i njohur rrezikon dënimin deri në tetë vite burgim. Ai asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat, edhe pse Prokuroria thotë se ka përgjuar dhe filmuar në mënyrë të fshehtë takimet e mjekut me të afërmit e pacientëve, që cilëve u kërkohej të paguanin ryshfet si kusht për suksesin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Hetimi ndaj mjekut Dautaj filloi pas denoncimit të babait të një vajze nga periferia e Tiranës, e cila ishte operuar tek ai për shkak të sëmundjes në veshka. Babai i pacientes ishte detyruar të paguante ryshfet tek mjeku që i kishte operuar vajzën ndërsa gjithçka ishte filmuar nga policia. Me urdhër të Prokurorisë, agjentët e antikorrupsionit gjurmuan mjekun edhe në shtatë raste të tjera, ku ai akuzohet se ka marrë ryshfet nga të afërmit e pacientëve që kryenin operacione në veshka. Ngjarja që shkaktoi arrestimin e kirurgut ndodhi rreth orës 11:00 të 7 korrikut 2007, kur Dautaj ra në pranga me akuzën e korrupsionit. Atë ditë, mjeku kishte marrë një shumë parash në vlerën 50 mijë lekë të reja, nga babai i pacientes së operuar në veshka. Gjatë një kontrolli të beftë në zyrë, agjentët gjetën në xhepin e djathtë të uniformës së mjekut, 50 mijë lekë të reja, të cilat sipas filmimeve dhe përgjimeve ishin paguar në zyrën e tij nga shtetasi Ibrahim Hoxha. Ky i fundit kishte operuar vajzën e tij L. Hoxha tek mjeku Kastriot Dautaj, i cili kishte kërkuar ryshfet duke vënë paratë si kusht për suksesin e ndërhyrjes kirurgjikale.