Trafiku, lirohet kreu i grupit “Go West”
Armand Bajrami
Lirohet nga qelitë e paraburgimit biznesmeni Nikolin Cako, i akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të klandestinëve, me anë të dokumenteve të falsifikuara. Tejkalimi i afateve të paraburgimit detyroi Gjykatën e Krimeve të Rënda të lirojë ende pa përfunduar procesi, ish-pronarin e agjencisë turistike “Go West”, e cila siguronte viza me dokumente false për klandestinë që kërkonin të udhëtonin drejt 29 vendeve të botës. Të njëjtin fat me Nikolin Cakon, pati edhe Edmond Bejko, një nga pjesëtarët e grupit kriminal. Kalimi i të gjitha afateve të paraburgimit për dy të pandehurit u bë shkak për vendimin e gjykatës. Dy të akuzuarit Nikolin Cako dhe Edmond Bejko do të lënë qelinë e paraburgimit dhe do të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, deri në përfundim të procesit gjyqësor. Vendimi për shuarjen e masës së sigurisë u shpall dje nga gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Etleva Deda. Gjykata u njoh me kërkesën e të pandehurve Cako dhe Bejko, për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” më 28 shkurt të këtij viti. Sipas avokatëve, klientët e tyre kaluan çdo kufi nga afati i ligjshëm kohor për mbajtjen në qeli si të paraburgosur. Prokuroria pretendoi ndërkaq se numërimi i ditëve në paraburgim për dy personat ishte bërë në mënyrë të gabuar, duke u dhënë atyre mundësi përfitimi.
Krerët e “Go West”
Nikolin Cako dhe Edmond Bejko u arrestuan me bujë nga operacioni policor i koduar “Go-West” në nëntor të vitit 2005. Si pasojë e zvarritjes së procesit, ata qëndruan deri ditën e djeshme në ambientet e paraburgimit. Dje në gjyq ata ishin të pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit, teksa Krimet e Rënda vlerësuan të ligjshme kërkesën e tyre për largim nga qelia. Sipas mbrojtësve ligjorë, të pandehurit janë mbajtur në paraburgim 2 muaj dhe 8 ditë më shumë nga çfarë parashikohet në ligj, duke llogaritur këtu edhe rastet e pezullimit të afateve nga ana e gjykatës. Për llogaritjen e kohës, gjykata vendosi më parë tërheqjen e procesverbaleve të seancave gjyqësore të dosjes “Go West” në Shkallën e Parë nga Gjykata e Lartë. Kjo për shkak se aktualisht dosja ndodhet në Gjykatën e Lartë, pas një kërkese rekursi të vendimit të apelit për dosjen “Go-West”, rekurs i cili ende nuk është marrë në shqyrtim nga kjo gjykatë. Nëntë personat e arrestuar nga operacioni “Go West” akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjykimi i tyre në shkallën e parë të Krimeve të Rënda përfundoi në korrik të 2008, me shpalljen e fajtorë të të pandehurve dhe dënimin me një total prej 68 vjet burg. Ndërsa Apeli i Krimeve të Rënda vendosi më 27 nëntor të vitit të kaluar dërgimin e çështjes në rigjykim me një tjetër trupë gjyqësore. Vendimit të Apelit iu bë rekurs në Gjykatën e Lartë nga të pandehurit, ndërsa gjykata më e lartë ende nuk ka marrë çështjen në shqyrtim, duke tejkaluar afatet e paraburgimit për të pandehurit.
Falsifikimet e “Go West”
50 copë karta identiteti
450 patenta italiane
Vula, 70 copë
Të konsu1latës greke
Hyrje-dalje në kufi
Vula italiane
Konsullata shqiptare në Uashington
Universitetit të Tiranës
Të gjitha fakulteteve
Të Ministrisë së Arsimit
Të Ministrisë së Pushtetit Vendor
Të Komisariatit të Policisë Nr.2
Të Gjendjeve Civile
Të Ministrisë së Rendit Publik
Hyrje-dalje në kufirin meksikan
Vula e Ambasadës së Xhamajkës në Santa Domingo
Vula të Haitit
Vula hyrje-daljeje të Rinasit
Vula hyrje-dalje të Maqedonase
Leje hyrjeje të Departamentit Amerikan të Drejtësisë
FBI në Tiranë për Nikolin Cakon
TIRANE – Arrestimi i Nikolin Cakos në vitin 2005, bashkë me personat që u akuzuan si pjesëtarë të grupit të tij, është bërë shkak për një “vizitë” rrufe të agjentëve të FBI-së. Byroja Ferderale e Hetimit mori kontakt me autoritetet shqiptare, pasi gjatë aksionit për kapjen e anëtarëve të grupit “Go West”, në studiot e tyre ku ishin kryer falsifikimet, u gjetën të dubluara edhe një sërë dokumentesh zyrtare amerikane. Cilësia e pajisjeve dhe modulet që zotëronte grupi kriminal arrinte deri aty sa të falsifikonin edhe pasaportat amerikane, si dhe kartëmonedhat e dollarit. Një fakt i tillë u bë shkak për hetime nga agjentët e FBI-së ndërsa ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Marcie Ries, pak ditë pas operacionit “Go West”, në një takim me zyrtarë të policisë, e vlerësoi atë një rast të goditjes së krimit të organizuar. t.s