Aksident rrugor në Dajç, vdes fëmija 12 vjeç
SHKODER Një fëmijë 12 vjeç humbi jetën në një aksident në fshatin Dajç. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, kur një automjet tip Fiat Bravo me targa të huaja që drejtohej nga 19- vjeçar Gjovalin Daka është përplasur me një pemë. Për pasojë ka gjetur vdekjen kushëriri i tij, 12 vjeçari R.Hoti, ndërsa i riu pësoi plagë të rënda. Mësohet se viktimat po udhëtonin nga fshati Shirq për në Dajç, kur në kryqëzimin e këtyre dy fshatrave automjeti është përplasur me një pemë dhe më pas është përmbysur. Nga kjo përplasje dy kushërinjtë që ndodheshin në të kanë pësuar dëmtime të shumta. Forcat e policisë mbërritën në vend dhe nisën menjëherë viktimat për në spitalin e Shkodrës, por i mituri ndërroi jetë gjatë rrugës. Sipas policisë, shkaqet e aksidentit dyshohet të kenë qenë mungesa e ndriçimit në rrugën e fshatit si dhe ecja me shpejtësi. Po dje në drekë, automjeti tip BMV X 5 që drejtohej nga kryetari i komunës së Hajmelit Lekë Biba, u përplas me një kamion me ndihma që vinte nga Komuna e Tetovës në drejtim të zonave të përmbytura të Shkodrës. Fatmirësisht kreu i komunës nuk pësoi dëmtime. r.d