Ndahet nga jeta skulptori Shaban Hadëraj
U nda nga jeta dje në moshën 82-vjeçare, skulptori Shaban Hadëraj. “Skulptor i popullit” dhe Laureat i çmimit të Republikës, Hadëraj është një nga emrat më të shquar të skulpturës shqiptare. Pas kryerjes së Liceut Artistik në Tiranë, Hadëraj u shkollua në Akademinë e Arteve të Bukura në Leningrad. Pasi trashëgoi traditën më të mirë të artistëve shqiptarë, si Nexhmedin Zajmi, apo Odise Paskali, Hadëri do të realizonte disa prej veprave më të njohura në Shqipëri, kryesisht me temë patriotike, apo nga Lufta e Dytë Botërore. Firmën e tij mbajnë një sërë veprash monumentale, të cilat i gjejmë të vendosura në sheshet e disa qyteteve shqiptare. Mjafton të kujtojmë veprën “Pesë heronjtë e Vigut”, e cila deri para pak kohësh ndodhej në qendër të qytetit të Shkodrës. Një vepër madhështore e vendosur në vitin 1984, kushtuar 5 partizaneve Ahmet Haxhisë, Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit, Ndoc Dedës dhe Hydajet Lezhës, të vrarë në gusht të vitit 1944 në Vig Mnelë të Mirditës. Hadëraj është gjithashtu autor i një tjetre vepre monumentale në qytetin e Shkodrës, “Isa Boletini”, (5 metra e lartë) një ndër më të realizuarit në llojin e vet. Haderaj është gjithashtu një ndër autorët e monumentit të Pavarësisë në Vlorë, bashkë me skulptorët Kristaq Rama e Muntaz Dhrami. Ka punuar gjithashtu edhe për monumentin “Nënë Shqipëri”, të vendosur në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. Shaban Hadëraj ka realizuar edhe monumentin e diktatorit Enver Hoxha, i cili u rrëzua gjatë lëvizjeve të dhjetorit 1990. Për realizimin e kësaj vepre u zhvillua një konkurs, ku mes 140 artistëve u zgjodh skulptori Hadëraj dhe piktori Vilson Kilica. Hadëraj ndërroi jetë në banesën e tij në kryeqytet, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen sot paradite në ambientet e Galerisë së Arteve në orën 11.00-12.00.