E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja step krimin, asnjë ngjarje në Shkodër

 SHKODER-Që nga data 2 janar, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe kur uji kishte mbuluar një pjesë të madhe të rajonit të Shkodrës, nuk është regjistruar asnjë vepër penale. Megjithë frikën e banorëve se nuk donin të braktisnin shtëpitë, pasi mund t’i bastisnin hajdutët, deri tani asnjë denoncim nuk ka mbërritur në policinë e qytetit të Shkodrës. Përqendrimi i qindra forcave në terren, uniformave blu, të ushtrisë e deri helikopterëve dhe tankerëve të RENEA-s përveçse ka stepur edhe ka parandaluar krimin. E njohur si një ndër zonat e nxehta ku akoma vepron gjakmarrja apo ndodhin rëndom ngjarje të rënda kundër personit apo pronës, në këto ditë të vështira njerëzit duket se janë të mbuluar të gjithë nga halli i mbijetesës dhe i frikës që të jenë të gatshëm kur natyra të jetë kundër tyre. “Vetëm një arrestim për vjedhje dhe dy aksidente janë shënuar gjatë këtyre 12 ditëve në qarkun e Shkodrës” bëri të ditur policia. Sipas drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër Vullnet Topalli në sigurimin e rendit dhe të sigurisë në rrethin e Shkodrës janë angazhuar rreth 579 punonjës policie. Veprimet e tyre kanë qenë të përqendruara kryesisht në zonat më problematike si në fshatrat e Komunës Dajç, në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, në fshatrat Mali i Jushit, Hoten e Trush i Poshtëm të Komunës Bushat, në fshatrat Luarze e ças të Komunës Velipoje, në disa fshatra të Komunës Bërdice dhe lagjet periferike të qytetit buzë Liqenit të Shkodrës (në Livadhe).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›