Kompanitë e sigurimeve, 4 milionë lekë për Shkodrën
Një shumë prej 4 milionë lekësh i është shtuar dje fondit që do të shkojë në ndihmë të situatës së krijuar në Veri të vendit si rezultat i përmbytjeve. Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë është solidarizuar dhe i është përgjigjur thirrjes “SOS” në Shkodër. Në një deklaratë të kësaj shoqate theksohet se në historinë e zhvillimit botëror, industria e sigurimeve lindi si nevojë e instrumentalizimit, shpërndarjes dhe administrimit të rreziqeve, kjo është edhe arsyeja pse zhvillimi i sotëm aktual global e konsideron sipërmarrjen e sigurimeve, si një ndër tri kolonat e zhvillimit ekonomiko–social të vetin. Duke ju referuar ngjarjes së përmbytjeve në Shkodër dhe faktit se tashmë këto kompani sigurimi në vend janë të specializuara në mbajtjen dhe administrimin e rreziqeve me specialistët më të kualifikuar. Shoqata u ka bërë thirrje strukturave vendimarrëse që të hartojnë sa më shpejt të jetë e mundur ligjin për sigurimin e detyrueshëm të pasurisë ndaj katastrofave natyrore. “Miratimi i këtij ligji, në situatë të ngjashme, përmbytjesh, tërmetesh, rreshkitje dheu, zjarre, do të thotë se dëmshpërblimi i të prekurve prej këtyre katastrofave natyrore do të ishte përgjegjësi e industrisë së sigurimeve”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.