Aksident rrugor në Tiranë, vdes një person, plagoset ish-kampioni i çiklizmit
Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti në Tiranë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në “Rrugën e Durrësit”, pranë Ministrisë së Mjedisit. Mes të plagosurve është edhe Agron Tafilica, ish-kampion i çiklizmit në Shqipëri. Sipas burimeve nga policia, Shkëlqim Bomi duke drejtuar një motor “Yamaha” të zi pa targa është përplasur me një tjetër motor me targa Tirane 628-F, që drejtohej nga Agron Tafilica. Përplasja ka qenë fatale për Shkëlqim Bomin, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Së bashku me Bomin në motor ishte dhe një pasagjer, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, por që ka pësuar dëmtime të lehta. Ndaj të plagosurve është dhënë ndihma e parë, duke i transportuar ata në spital. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ish-kampioni i çiklizmit e ka kaluar gjendjen e vështirë dhe është jashtë rrezikut për jetën.