Sekuestrohet 16 kg drogë në Prizren, vinte nga Shqipëria
Policia e Kosovës sekuestroi 16 kg drogë të llojit heroinë në Prizren, që vinte nga Shqipëria dhe ishte e destinuar për në tregun vendas. Pas një hetimi prej 10 javësh, nga punonjësit e shërbimi policor u organizua operacioni “Rambuje”, ku u arrestuan 10 persona. Sipas policisë së Kosovës, nga 10 të arrestuarit, katër janë ndaluar dhe janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, dy janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa katër të tjerë janë liruar si të papërfshirë në këtë rast. Shumica e personave të arrestuar ishin me kombësi turke. Nga hetimet e kryera rezultoi se droga e kapur ishe kaluar nga Shqipëria dhe ajo do të përdorej për në tregun vendas. Personat e arrestuar pritet të dalin përpara Gjykatës së Rrethit të Prizrenit, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për shitje të lëndëve narkotike.
Aksioni
Pas fillimit të hetimeve, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në policinë e Kosovës nisi të premten pasdite në rrugën “Rambuje” në Prizren aksionin policor. Ata zhvilluan kontrolle të shumta në banesa, lokale e makina.
Në njërën nga automjetet e kontrolluara, policia zbuloi sasinë e drogës. Sipas burimeve zyrtare, në makinën tip “Mercedes Benz”, ishin fshehur 16 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe një pistoletë. Në vazhdim të operacionit, agjentët e policisë kryen kontrolle edhe në katër banesa të tjera, dy shtëpi në Mamushë, një në Prizren dhe një në Klinë. Gjatë kontrollit në këto shtëpi, punonjësit e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar zbuluan edhe një sasi substance narkotike të dyshuar të llojit marijuanë - 5 gramë (në Klinë), kurse dy kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë dhe një revole të tipit “TT” me 55 fishekë në Mamushë të Prizrenit. Operacioni u mbështet nga njësia K-9, krim-teknika rajonale e Prizrenit, Njësiti Mbështetës Operativ nga Gjilani dhe Prizreni, si dhe njësia rajonale kundër narkotikëve në Prizren. Katër personat që janë ndaluar nga policia janë Shefki Kajserli, 1964 (kosovar turk), Nexhat Mazrek, 1961 (kosovar turk), Saderli Kajserli, 1988 (kosovar turk) dhe Mentor Seferaj, 1981 (kosovar shqiptar).
Policia
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, e cilësoi si të suksesshëm aksionin e policisë në Prizren, ku u sekuestruan 16 kg heroinë. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se do të shtohen aksionet kundër krimit të organizuar. “Pasi i kemi marrë të dhënat, kemi filluar realizimin e këtij operacioni në Prizren. Ky operacion është koduar me emrin “Rambuje” dhe gjatë operacionit janë arrestuar 10 persona”, - tha Ahmeti, duke shtuar se “me rezultate të tilla do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Ne me përkushtim do të vazhdojmë punën tonë në luftën kundër krimin jo vetëm në këtë fushë, por edhe në të gjitha fushat e tjera”. Ndërkaq, Fatos Haziri, drejtor në Drejtorinë për Krimin e Organizuar u shpreh se hetimi i këtij rasti ka filluar para 10 javësh. Origjina e kësaj substance është nga shtetet e Lindjes dhe konsiderohet se në Kosovë ka ardhur nga Shqipëria. Ai shtoi se destinimi i drogës ka qenë tregu vendor.