Aksident tek Ura e Bunës, vdes një 57-vjeçar
Një aksident me vdekje ka ndodhur dje rreth orës 11:30 në afërsi të Urës së Bunës në qytetin e Shkodrës. Viktima, Xhemal Halili, 57 vjeç, banues në lagjen "Daniel Matlia" të Shkodrës, ka qenë duke udhëtuar me motor në aksin rrugor Muriqan -Shkodër, ku në afërsi të Urës së Bunës, në hyrje të qytetit është përplasur me një këmbësor. Si pasojë e kësaj përplasjeje, drejtuesi i motorit Xhemal Halili ka vdekur në vend, ndërsa kalimtari për fat të mirë ka shpëtuar pa marrë plagë të rënda. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka përcaktuar si shkak të këtij aksidenti devijimin që ka bërë drejtuesi i motorit për të mos dëmtuar këmbësorin dhe ky manovrim i ka kushtuar jetën, pasi është përplasur me bordurat e betonta të rrugës. Ndërkohë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale motorin, deri në sqarimin e plotë të rrethanave që shkaktuan aksidentin, ndërsa ka marrë në pyetje edhe këmbësorin që është përfshirë në këtë aksident.