Atentatori i tritolit merr "arrest në burg"
Bariu që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj punëdhënësit të tij ka marrë mesditën e djeshme masën e sigurisë. Në Gjykatën e Sarandës, për 40-vjeçarin Xhezair Hysa është vendosur masa "arrest në burg", ndërkohë që për bariun tjetër, 28-vjeçarin Kristo Dhimërtika (nga ky kishte marrë tritolin), u caktua masa e detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore. Askush nga familjarët nuk është interesuar dhe nuk është paraqitur dhe nisur nga gjendja e tij financiare gjykata ka vendosur avokat mbrojtës kryesisht për bariun elbasanas. Avokati ka shpjeguar se klienti i tij donte të vriste veten dhe pronarin e tij Feruz Basho. Ai tha se këtë e kishte zgjedhur si mënyrë për zgjidhjen e konfliktit pas mosmarrjes së pagesës për 22 muaj, që janë llogaritur në rreth 3 milionë lekë të vjetra. Burime nga gjykata thanë se vepra penale për të cilën dyshohet shtetasi Xhezair Hysa është vlerësuar me rrezikshmëri shumtë të lartë dhe dënohet deri me 20 vjet burg. Prokurori Çlirim Shahini ka kërkuar detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore për bariun tjetër, Kristo Dhimërtika. Ai është mbrojtur duke thënë se armën dhe tritolin e gjetur në banesë e kishte për të ruajtur bagëtinë nga hajdutët e mundshëm.