Ndëshkimi me gjoba normalizon trafikun në rrugën e spitalit
Parkimet e jashtëligjshme dhe lëvizjet në krahun e kundërt me tabelat orientuese përgjatë segmentit rrugor që lidh qytetin e Fierit me spitalin rajonal janë bërë objekt i penalizimeve të policisë rrugore. Gjatë gjithë ditës së diel dhe paradites së të hënës, punonjësit e policisë rrugore kanë ndërmarrë një aksion ndëshkues ndaj të gjithë atyre drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit normal të mjeteve e njerëzve në këtë segment që përgjatë gjithë ditës është mjaft i rrahur. Burimet zyrtare të policisë së qarkullimit rrugor në Fieri thanë se janë vendosur rreth 70 gjoba për mjetet që parkojnë në vendet e ndaluara dhe ato që lëvizin në krah të kundërt. "Jo në pak raste, si rezultat i mosrespektimit të sinjalistikës është rrezikuar jeta e të sëmurëve, të cilët kanë mbetur të bllokuar në rrugë", tha një oficer i policisë rrugore.