E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimi ndaj biznesit, si do të jenë procedurat që parashikon ligji



Ervin KOÇI

Ligji i ri që i lejon Tatimeve dhe Doganave të drejtën për të përgjuar subjektet private, u jep këtyre institucioneve dispozitat që deri tani i mbajnë vetëm pak institucione të rëndësishme. Aktualisht, këtë të drejtë e kanë Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë ose më saktë Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe tani, me ligjin e ri, edhe Ministria e Financave. Kjo e fundit, ka sqaruar dje se ligji i ri për përgjimet e telefonave nuk ka për synim vetëm bizneset që bëjnë kontrabandë, por edhe punonjësit e administratës tatimore dhe doganore. Gjatë diskutimit të variantit të ri të qeverisë, anëtarët e Kuvendit shtruan rëndësinë që ka ligji ndaj luftës së evazionit fiskal. Ministri i Financave përmendi ndryshimin thelbësor që lidhet me shtimin e numrit të institucioneve që kanë të drejtë t‘i kërkojnë prokurorisë përgjimet e ndryshme. "Kemi struktura të ngjashme si oficerët e policisë gjyqësore. Drejtoria e hetimit në tatime apo në dogana i ka të gjitha të drejtat, si strukturat e tjera në ministritë e linjës. Brenda kërkohet ndryshimi i ligjit",- tha ministri Bode, i cili sqaroi edhe një herë se, "përgjimi do të kryhet edhe ndaj atyre punonjësve tatimorë apo doganor që përfshihen në korrupsion". Sipas Florion Mimës, ishte FMN-ja që kërkoi krijimin e Departamentit të Investigimit Kkriminal Tatimor, si kriter për të zhvilluar sektorin.

Ligji

Ligji Nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimet e telekomunikacioneve” përcakton procedurat që duhet të ndiqen për përgjimin e telekomunikimeve nga institucione shtetërore informative, të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që duhet të ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim. Në bazë të ligjit për përgjimin e telekomunikacioneve, kërkesa bëhet te Prokurori i Përgjithshëm dhe përgjimi kryhet vetëm pasi të jetë marrë vendimi për përgjim nga Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij. Në bazë të këtij ligji, institucionet e lejuara mund të kryejnë përgjimin vetëm pasi “bërthama komanduese elektronike” e zyrës së prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, lejon ose ndalon përgjimin e një pajisjeje fundore pas vendimit me shkrim për miratimin e kërkesës për përgjim. Synimi i këtij ligji, thuhet në relacionin shpjegues, është që të rrisë efektivitetin e punës së institucioneve shtetërore informative për zbulimin e veprimtarisë antikushtetuese, kriminale dhe keqbërëse, si dhe të parandalojë pasojat që mund të vijnë nga kjo veprimtari. Si objekt përgjimi përmenden: sinjalet, shkrimet, fotografitë, të dhënat audiovizuale ose çdo lloj tjetër informacioni i marrë ose i transmetuar nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit. Rezultatet e përgjimit, të marra në bazë të këtij ligji, nuk e kanë vlerën e provës në një proces penal, me përjashtim të atyre të marra sipas Kodit të Procedurës Penale.

Përgjimet

Dhënia e së drejtës Tatimeve dhe Doganave për të kërkuar përgjimin e biznesit, duke amenduar ligjin “Për përgjimet e telekomunikacionit” ka sjellë qëndrime pro dhe kundër si në radhët e politikës ashtu dhe tek biznesi. Prej qeverisë, ligji konsiderohet si i domosdoshëm, pasi ai shërben për të parandaluar veprat penale edhe në ekonomi, por debati lind te mënyra e zbatimit të tij. Për juristët është e rëndësishme që ligji të shprehë qartë se cilat do të jenë masat për të garantuar mospublikimin apo keqpërdorimin e atyre informacioneve që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me fushën e hetimeve. Një rast tipik mund të jetë ai që konsiderohet si “sekret” tregtar dhe që mund të çojë në dëmtim të konkurrencës apo të planeve të një biznesi. Element tjetër konsiderohet fakti se kush do ta bëjë përgjimin dhe se cilët elementë do t’i paraqiten prokurorisë, e cila jep verdiktin final për lejimin ose jo të përgjimit. Sipas ekspertëve, hetimet do të bazohen kryesisht mbi shkeljet që mund të evidentohen nga personeli i administratës tatimore apo doganore. Jo pa qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ngritur një njësi të specializuar, e cila quhet Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe në këtë rast, kjo e fundit ka si synim kontrollin më efikas të strukturave të saj. Sipas ndryshimeve në projektligj, kjo strukturë, në rastet kur disponon prova të mjaftueshme, do të kërkojë nisjen e përgjimeve.

Biznesi

Përfaqësuesit e biznesit shprehen skeptikë për mënyrën se si mund të zbatohet ky ligj në Shqipëri. Ata ndihen të vënë nën presion përballë faktit se nuk konsiderohen si një burim të ardhurash për ekonominë, por si kontingjent për të kryer evazion fiskal. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e opozitës janë shprehur kundër miratimit të këtij projektligji, i cili, sipas tyre, nuk e favorizon klimën e biznesit dhe për më tepër atij të huaj. Sipas përfaqësuesve të biznesit, “ligji në vetvete përbën rrezik pasi duke qenë se operatorët, që marrin përsipër administrimin e përgjimeve shtohen, atëherë hapësirat për të abuzuar jo vetëm politikisht, por edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut, mund të jenë të mëdha”.

Shkurt//////////////////////////////
Konfindustria: Të dhënat, mund të përdoren për konkurrencë të padrejtë

Ky organizim biznesi parimisht nuk shprehet kundër dhënies së mundësive të mundshme ligjore për të luftuar evazionin fiskal dhe kontrabandën, përfshi këtu edhe mundësinë e përgjimit të bisedave telefonike nga strukturat e specializuara të shtetit. Sipas Konfindustrisë, ajo që duhet të rregullohet dhe që mungon në projektligjin e paraqitur, për të shtrirë mundësinë ligjore për të gjitha institucionet shtetërore, që kanë në përbërje të tyre policinë gjyqësore dhe shërbime informative, është se nuk janë përcaktuar rastet se kur dhe çfarë prokuroria duhet të vlerësojë për dhënien e një leje të tillë. “Në rastet e mësipërme prania e shumë aktorëve në lojë shton mundësinë e abuzimit dhe askush nuk mund të garantojë se të dhënat e grumbulluara mund të përdoren për konkurrencë të padrejtë ndërmjet subjekteve të biznesit. Kontrolli i daljes ose shitjes së informacionit normal të biznesit, i grumbulluar në emër të luftës kundër evazionit bëhet gjithmonë e më i vështirë me pasjen e shumë aktorëve në lojë”,- thotë administratori i Konfindustrisë. Nga ky organizim kërkohet që të përcaktohen me akte të plota ligjore se cilat fakte duhet të paraqiten në arsyetimin e kërkesës drejtuar prokurorisë për përgjimin e subjekteve tregtare dhe çfarë do të ndodhë me administrimin e informacionit të siguruar.

Shoqata e Ndërtuesve: Me këtë ligj qeveria nuk na shikon më si partner

Shoqata e Ndërtuesve e ka kundërshtuar këtë ligj që në momentin e prezantimit, si pjesë e procedurave tatimore. Sipas drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqate, Ilir Hebovia, në këtë mënyrë biznesi po kthehet nga një partner dhe gjenerues të ardhurash për buxhetin e shtetit, në të dyshuarin kryesor të shtetit. “E shumëpërfolura klimë e favorshme për biznesin përkeqësohet edhe më tej. Problemi nuk qëndron te frika që ndjen biznesi për shkak të kontrolleve, por te presioni që i ushtrohet të gjitha bizneseve pa përjashtim. Ky është problemi më i madh sot në marrëdhëniet në mes të administratës tatimore dhe biznesit, të gjithë kontrollohen, të gjithë janë të dyshuar se bëjnë evazion, pra të gjithë janë abuzues”,- thotë Hebovia. Sipas tij, nëse është kështu, mjafton të mbyllen të gjitha bizneset e hapura deri tani dhe të emërohen biznesmenë të rinj të besuar të administratës.
“Nuk është vetëm faji i politikës, por ndodh shpesh që administrata për të qenë në rregull rrit masat ndëshkimore më shumë se sa ia përmban ligji dhe se sa e lejon dhe Kushtetuta”, thotë përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se, dyshimet dhe investigimet për biznese që kryejnë evazion mund të trajtohen fare mirë, duke përfshirë dhe agjenci të tjera të specializuara dhe me përvojë për të pasur një gjykim sa më të paanshëm.

Projektligji, si dhe kush i bën përgjimet

Ligji Nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimet e telekomunikacioneve” përcakton procedurat që duhet të ndiqen për përgjimin e telekomunikimeve nga institucione shtetërore informative, të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që duhet të ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim.
Synimi i këtij ligji, thuhet në relacionin shpjegues, është që të rrisë efektivitetin e punës së institucioneve shtetërore informative për zbulimin e veprimtarisë antikushtetuese, kriminale dhe keqbërëse, si dhe të parandalojë pasojat që mund të vijnë nga kjo veprimtari.
Si objekt përgjimi përmenden: sinjalet, shkrimet, fotografitë, të dhënat audiovizuale ose çdo lloj tjetër informacioni i marrë ose i transmetuar nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit.
Rezultatet e përgjimit, të marra në bazë të këtij ligji, nuk e kanë vlerën e provës në një proces penal, me përjashtim të atyre të marra sipas Kodit të Procedurës Penale.

Në bazë të këtij ligji, organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit janë:
a) Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, (e shtuar më pas: “...ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore”) si edhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore.
b) Asnjë prej institucioneve publike, të përcaktuara në pikën 1, nuk ka të drejtë të parashtrojë një kërkesë për përgjim, për çështje ose veprimtari, që nuk janë parashikuar me ligj në objektin e punës e të veprimtarisë së tyre informativo-gjurmuese.
Kërkesa për përgjim, e paraqitur nga subjektet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji, hartohet në dy kopje, një kopje e së cilës depozitohet pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe një e mban vetë institucioni.
Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes ose ministrit të Drejtësisë, (e shtuar më pas: “...ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore”) miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit.
Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij, në mungesë të Prokurorit të Përgjithshëm, merr vendim me shkrim për kërkesën për përgjim, e cila hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën mbahet në ‘bërthamën komanduese elektronike’ të prokurorisë, një e mban sektori i përgjimeve në SHISH dhe një kopje institucioni që ka bërë kërkesën.
Të gjitha vendimet e përgjimit janë të vlefshme për një periudhë deri në tre muaj. Për çdo zgjatje të këtij afati, institucioni përkatës i paraqet Prokurorit të Përgjithshëm një kërkesë së bashku me materialin e zbardhur.
Çdo zgjatje afati nuk mund të jetë më tepër se tre muaj. Nëse ndodh një ndryshim, që çon në përfundimin se përgjimi nuk është më i nevojshëm ose praktik për t’u zbatuar, atëherë, me kërkesë me shkrim të institucionit përkatës ose me nismën e Prokurorit të Përgjithshëm, vendimi revokohet.
Personave të ngarkuar me funksionin apo detyra të caktuara në ose për procesin e
përgjimit në tërësi apo në veçanti u ndalohet:
a) të përhapin ose të përdorin jashtë kërkesave të këtij ligji apo të ligjeve në fuqi të dhënat e grumbulluara
b) të përgjojnë pa autorizim ose jashtë procedurave të ngarkuara nga Prokurori i Përgjithshëm.
Procesi i përgjimit, në tërësi ose në veçanti, përbën sekret shtetëror, shkelja e të cilit dënohet sipas legjislacionit penal në fuqi.
Prokurori i Përgjithshëm, kur gjykon se përgjimi nuk është më i vlefshëm sipas ligjit, revokon në çdo kohë vendimin për përgjim para datës së përfundimit të përgjimit.
Vendimi i revokimit i adresohet ‘bërthamës komanduese elektronike’, kërkuesit e zbatuesit teknik të përgjimit.
Përgjimet që kryhen vetëm me vendim gjykate:
Përgjimi i bisedimeve, komunikimeve telefonike dhe i formave të tjera të telekomunikacionit lejohet vetëm kur procedohet për:
a- Krime me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak në maksimum se pesë vjet
b- Krimet që lidhen me armët dhe lëndët plasëse, me substancat narkotike dhe me kontrabandën
c- Veprat penale të fyerjes dhe kanosjes me anë të telefonit
Përgjimi, i përcaktuar në pikën 1 më sipër, është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit.
Ligji shqiptar njeh dy lloj përgjimesh telefonike, të cilat ndahen në dy kategori: parandalues dhe procedural.
Përgjimi parandalues mund të zhvillohet nga shërbimet e policisë apo nga struktura të tjera të shtetit, me qëllim parandalimin e veprimtarisë kriminale, shmangien e ngjarjeve që cenojnë sigurinë publike apo kapjen në flagrancë të personave që janë implikuar në një krim. Për këtë lloj përgjimi nuk është i nevojshëm vendimi i gjykatës pasi në fakt, një përgjim i tillë jo vetëm që nuk paraqitet para togave të zeza, por edhe nuk njihet si provë prej tyre.
Përgjimi parandalues realizohet nga zyra e posaçme e Shërbimit Informativ, e pajisur me një teknologji britanike.
Përgjimi procedural janë përgjimet e kryera më së shumti nga policia dhe prokuroria për interesa të hetimit të çështjeve penale. Përgjime të tilla nuk mund të realizohen pa autorizimin e gjykatës. Miratimi nga gjykata i këtyre përgjimeve duhet të bëhet, pasi në të kundërt ato nuk kanë efektin e provës gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë. Në momentin e lejimit të përgjimit nga gjykata, nëse të përgjuarit flasin për aktivitetin kriminal dhe bisedat e tyre përmbajnë fakte, atëherë interceptimi njihet si provë nga gjykata dhe në bazë të tij togat e zeza mund të fajësojnë personat e arrestuar për krime të ndryshme.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›