E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: “Pas zgjedhjeve Rama donte të largohej, por nuk e la anëtarësia e PS-së”



Gramoz Ruçi, numri dy i Partisë Socialiste, ka zbuluar se pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i kësaj Partie, Edi Rama, kishte tentuar largimin përfundimtar nga drejtimi i kësaj partie, por, sipas tij, ka qenë anëtarësia dhe strukturat socialiste që kanë kërkuar nga Rama që të vazhdonte të ishte në krye të PS-së. Këtë deklaratë Ruçi e ka dhënë një intervistë për televizionin “Ora News” në emisionin “Ora e debatit”.

Asambleja Kombëtare vendosi pak ditë më parë bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit, që do të thotë një thellim i bojkotit. Ku po shkon në këtë mënyrë PS-ja?

Së pari, do të thosha që pavarësisht se ju në pyetjen tuaj dhe opinioni publik në tërësi e quan bojkot, ne e kemi quajtur kushtëzim të pjesëmarrjes sonë në jetën parlamentare. Pra kemi përcaktuar disa kërkesa, kemi përcaktuar shtatë apo tetë kushte. Mospjesëmarrja jonë është rrjedhojë e së parës. Ne mendojmë se lufta për votën e lirë është një betejë që patjetër Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë dhe duhet ta fitojnë. Pra, nuk ka asnjë lloj rëndësie dhe nuk do të ishim aspak serioze nëse forca jonë politike, pasi ka ngritur një çështje thelbësore, pas 20 vitesh demokraci, ky vend dhe ky popull ka dëgjuar komentet e ndërkombëtare, herë më mirë se e kaluara, herë një hap përpara, herë një hap pas, por asnjëherë zgjedhje të lira dhe demokratike. Pra nuk kanë asnjë rëndësi dhe asnjë vlerë se kush do të fitojë për një vit që i ka ngelur qeverisjes së pushtetit vendor, nëse Shqipëria nuk vendos një herë e mirë që ky vend dhe ky popull do të shikojë për herë të parë zgjedhje vërtet të lira, zgjedhje vërtet demokratike dhe në pushtet apo në qeverisje që jep ai për të cilin vendos sovrani, populli.

Është bojkoti zgjidhje?

Absolutisht nuk është bojkoti zgjidhje. Por ama a është e drejtë që në 2009-n të kërkohet thjesht transparencë për zgjedhjet? Që në 2009-n thjesht të kërkohet që RTVSH të jetë vërtet publik? A është e vërtetë që në 2009-n mësuesi i matematikës, biologjisë, apo kimisë të pushohet nga puna se ka marrë pjesë në një miting, jashtë orarit të punës, apo kanë qenë komisionerë? A është normale që sot, në 2009-n, të dalë i burgosuri nga burgu dhe të përdoret për fushatë elektorale? A është normale që sot, në 2009-n, të përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë për të spekuluar me votën e elektoratit shqiptar nga ky fukarallëk, veçanërisht në zonat rurale? A është normale? Atëherë le të dalë një analist si ju dhe të më thotë që kërkesat e opozitës nuk janë demokratike, nuk janë legjitime, nuk janë normale. Shumë veta thonë që nuk janë provuar, kjo kërkon të provohet.

A i ka humbur apo jo PS-ja zgjedhjet?

Humbjen në planin e verdiktit që ka dhënë elektorati shqiptar duhet vlerësuar në dy pamje. Sipas Kodit Elektoral, Partia Socialiste ka humbur dhe është në opozitë, është në opozitë. Në planin moral dhe politik, po të krahasojmë PD-në dhe PS-në, PS-ja është e fituar. Le të hapen këto kuti dhe të mos vërtetohet asnjë pretendim që ne kemi. Atëherë ne do të dalim dhe do të themi: “Popull shqiptar! Kundërshtari im politik! Më fal. Unë kam gabuar. Zgjedhjet kanë qenë tërësisht të lira dhe ju s’keni vënë fare dorë në kutitë e votimit”.

Ju personalisht keni përgjegjësi pse ka humbur PS-ja? Nëse po, sa është kjo përgjegjësi?
Sigurisht që unë kuptoj tendencën tuaj për të artikuluar dhe për të evidentuar togfjalëshin që PS-ja ka humbur. Nëse do të ishte e vërtetë kjo, përgjigjja e kësaj të vërtete do të pritet vetëm kur të bëhet kjo transparencë. Ajo që artikulova unë ishte fjala që sot PS-ja është në opozitë, derisa është në opozitë, s’është fituese. Që sot PS-ja ka më 10 mijë vota më shumë se PD-ja, që PS-ja pretendon për 30 mijë vota të tjera të vjedhura minimumi nga maxhoranca aktuale dhe që sot PS-ja kërkon që këto pretendime që ajo ka, këto kërkesa që ka, të hapen para publikut shqiptar, para analistëve shqiptarë dhe të verifikohen, ka të drejtë apo s’ka të drejtë. Vetëm atëherë merr përgjigje pyetja ka humbur apo ka fituar në planin moral dhe politik, se në planin institucional, Sali Berisha është në pushtet, ne jemi në opozitë. Ne kërkojmë të vendosim një standard, ne nuk kërkojmë t’i marrim pushtetin Sali Berishës. E dyta, edhe kur të bëhet kjo transparencë, unë dhe kolegët e mi kemi parë dhe do të vazhdojmë të shikojmë me sy kritik çfarë eci te PS-ja. Kjo është punë dhe përgjegjësi e familjes sime politike dhe PS-ja e ka filluar këtë proces, ka filluar dhe do të fillojë brenda këtij muaji, sipas vendimit të fundit të AK, në çdo qelizë, pranë çdo qendre votime ne kemi strukturën. Do ta fillojmë analizën nga çdo anëtar i partisë, para çdo qendre votimi. Në fund do të arrijmë në konkluzionet përkatëse. Pra, kjo përgjegjësi që ju shtroni, munguar që nga kryetari i partisë. Shpesh, në momentet e para të përfundimit të zgjedhjeve, ju keni ngritur një debat, qoftë edhe në këtë studio, që do të japë dorëheqje Edi Rama, që s’do japë dorëheqje Edi Rama, që do të kandidojë Edi Rama, që s’do të kandidojë Edi Rama. Pikërisht, edhe Edi Rama, në zbatim të atyre rregullave të brendshme që ka PS-ja dhe atij morali politik që ka PS-ja, ndërpreu mandatin e tij fjalë për fjalë, siç e kërkon statuti i PS-së dhe u votua te PS-ja. PS-ja dhe anëtarësia e saj, në mënyrën më demokratike, i dha një verdikt.

Si e ndërpreu mandatin zoti Rama? Ai tha që “unë s’largohem”! Edhe deklaroi që e ka shkruar vetë në Statut, tha që “meqë zgjedhjet janë vjedhur, unë nuk largohem”.
Edi Rama ishte kryetar, më andej ndërpreu mandatin e tij dhe kandidoi së bashku me një kandidat tjetër, konkurroi një alternativë të tijën, nga pika zero, sikur të mos kishte qenë kryetar.

Statusi i PS-së, në asnjë vend nuk thotë “kryetar në detyrë”. Por, me sa dimë ne, sipas Statutit tuaj, duhet të ishit ju në këtë fazë transitore si kryetar i Asamblesë Kombëtar, kryetar i partisë, në përgatitje të Kongresit, në kushte të barabarta me konkurrentët. Kjo nuk ndodhi...
Statuti i PS-së thotë fjalë për fjalë që mandati ndërpritet. Mandati i tij u ndërpre dhe u fillua një garë elektorale, brenda PS-së, dhe kjo është fare normale. Nuk ka vend bosh për kryetarin, se larg e tutje është shëndoshë e mirë me shëndet dhe është normale që një kryetar mos ta lërë detyrën e kryetarit derisa të vinte. Ai mund të mos konkurronte fare. Për një çast marrim rastin që Rama s’do të kandidonte. Çfarë do të ndodhte? Do të largohej Edi Rama pa ardhur kryetari në detyrë...

Mund ta drejtoni ju, zoti Ruçi...
S’është normale. Nuk përcaktohet në Statutin e partisë që kryetari i partisë zëvendësohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare.

Është e vërtetë që direkt pas zgjedhjeve, zoti Rama dëshironte të largohej nga kreu i PS-së dhe jeni ju që e keni bindur atë që të qëndrojë si kreu i PS-së?
Unë jam kundër këtyre zërave dhe kundër këtyre deklarimeve. Vizioni im për një kryetar partie është krejt ndryshe. Jo kushdo mund të dalë kryetar partie. Të gjithë mund të dëshirojnë, mund të aspirojnë, por jo kushdo mund të bëhet kryetar partie. Pse? Partia është frymë. Pra, që të dalësh kryetar partie duhet të ndiejë anëtarësia dhe ti duhet të ndiesh anëtarësinë. Le të marrim Edi Ramën. Ajo që unë kam parë, meqë, më falni për mungesën e modestisë, për arsye të kohëzgjatjes pa u shkëputur nga drejtimi i PS-së, kam ndjerë një gjë: në 2005-n e kërkonte Edi Rama PS-në, nuk e kërkonte anëtarësia Edi Ramën, e kërkonte Edi Rama për t’u bërë kryetar i PS-të. Në atë kohë ka pasur një problem: që Edi Rama, megjithëse ishte kandidat i PS-së në gati dy mandate, por kishte ardhur jashtë gjirit të PS-së, të asaj pjesës tradicionale të të qenit socialist. Ai kishte një problem që s’ishte kaq e lehtë që Edi Rama kryetar ta ndiente PS-në dhe anëtarësia e PS-së të ndiente kryetarin e saj. S’është problem i vogël ky, është problem shumë i madh. Ky ishte fillimi.
Le të vijmë në 2009-n. Nëse në 2005-n kërkonte Edi Rama të bëhej kryetar i PS-së, në 2009-n kërkonin socialistët që të kishin për kryetar Edi Ramën. Pse? Sepse ishte plotësuar ky hendek i madh në 2005-n, që në 2009-n socialistët e ndienin për kryetar Edi Ramën.

Më thoni një kryetar partie që ka hequr anëtarësia. Askush. Ka ikur vetë pasi ka humbur zgjedhjet. Do të ishin të përjetshëm kryetarët nëse do të vendoste anëtarësia kush do të rrijë kryetar? Zoti Nano do të ishte kryetar i PS-së nëse s’do të ikte vetë në 2005-n?
Mund të të them një gjë, që Edi Rama iku dhe anëtarësia e PS-së, në plotësim të pyetjes suaj, kishte në dorë ta hiqte Edi Ramën. Madje shumë është lançuar që ka pasur peticione nga strukturat e PS-së dhe nga anëtarësia e PS-së që Edi Rama të mos japë dorëheqjen. Mund të kishte peticione të tjera, duke filluar që nga unë që flas, që Edi Rama, jo vetëm të ndërpresë mandatin, por të mos guxojë të kandidojë për kryetar i Partisë Socialiste. Ashtu sikurse është e drejtë e tij edhe për të konkurruar dhe ishte përsëri e drejtë normale e anëtarësisë së PS-së që me atë anën që të jep demokracia, vota e fshehtë, ta hiqnin Edi Ramën. Koha vërtetoi dy gjëra, që anëtarësia e PS-së ka pasur një trysni shumë normale për mosndërprerje të mandatit të Edi Ramës. Ka pasur një trysni të anëtarësisë për kandidim të Edi Ramës dhe Edi Rama i plotësoi të dyja kushtet, edhe për anën morale dhe institucionale që Statuti kërkon, edhe atë që anëtarësia e PS-së i kërkonte si detyrim Edi Ramës. Ai rikandidoi. Besoj se pjesëmarrja e socialistëve në votim dhe vota që Edi Rama mori, besoj që nuk kanë nevojë për komentet e mia.

Nuk më kthyet përgjigje për zotin Nano...
Nuk e di, duhet provuar, ajo është e paprovuar. PS-ja në këto 18 vjet ka provuar shumë gjëra, ka provuar kryetarin në burg, është administruar dhe drejtuar në një kohë tepër të vështirë në mënyrë kolegjiale nga pjesa tjetër e udhëheqjes, ashtu sikurse ka provuar dorëheqje të kryetarit, ashtu sikurse ka provuar ndërrimin e disa kryeministrave. Mos harroni që brenda 8 vitesh qeverisje kemi ndryshuar 6 kryeministra. Dy herë Nanon, dy herë Majkon dhe dy herë Metën. Po ashtu edhe disa ministra. Ashtu sikurse ka provuar dorëheqjen e kryetarit, ashtu sikurse ka provuar edhe ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe rizgjedhjen e kryetarit në mënyrën më të mirë dhe më demokratike.

Zoti Rama, menjëherë pas 28 qershorit është konsultuar me ju për të dhënë dorëheqjen nga kreu i PS?
Sigurisht që unë jam pjesë e PS-së dhe kur thashë që kam konsultuar ose dhashë një mendim që nëse në 2005-n Edi Rama donte drejtimin e PS-së, ndërsa në 2009-n socialistët duan në drejtim Edi Ramën. Sigurisht që edhe unë s’bëj përjashtim. Mendimi e gjykimi im nuk ishte se unë, Gramoz Ruçi, dua Edi Ramën. Absolutisht jo.

Korrespondon që edhe në 2005-n, edhe tani, ju jeni që e doni...
Nuk funksionon kështu partia. Meqë pyetët, në 2005-n unë kam qenë skeptik. Kam qenë shumë skeptik në një kuptim, në atë që ju thashë qëparë, nuk shikoja që socialistët të ndienin për kryetar Edi Ramën. Ndërsa sot jam me këtë mendim, s’është mendim për interesa meskine të Ruçit, apo personale të Ruçit, apo individuale të Ruçit, apo Ruçi përdori kreditit e tij për të mbajtur Edi Ramën kryetar. Përkundrazi, Ruçi, do të ishte e pafalshme vërtet nëse nuk do të lexonte si atë frymë që lexoi në 2005-n, po ashtu edhe atë frymë që ishte në 2009-n.

Ju po thoni që në vitin 2009 zoti Rama dha dorëheqjen, por për shkak se ekzistonte fryma që PS-ja e donte zotin Rama, ju bashkë me strukturat e PS-së sollët këtë zhvillim?
Po, strukturat e Partisë Socialiste.

Përgjigjja ishte po. Domethënë zoti Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë struktura e partisë?
Po, patjetër.

A ka një skenar PS-ja se çfarë do të ndodhë nëse gjenden problemet tuaja?
Ne e kemi deklaruar edhe në dy qëndrimet e fundit të lidershipit të PS-së, Edi Rama, është trajtuar ky merak, ky preokupim dhe ne jemi shumë të qartë për këtë, që ne nuk kërkojmë asnjë rishikim të vendimeve që kanë marrë. Ne duam thjesht të bëjmë transparencën dhe të vendosim standardet për zgjedhjet e ardhshme. Kur do të jenë këto, të kohshme apo të parakohshme, këto u shpërbejnë hapave të tjerë politikë që do të marrë PS-ja. Qeverinë nuk e mbajnë mandatet e veta në pushtet. Nëse për mua këto pretendime, këto kërkesa dhe kjo transparencë që unë do të bëj për kutitë, dhe që do të dalë në problemet që unë mendoj, do të vihen përpara përgjegjësisë. Tri gjëra do të bëhen: e para, do të tregohet e vërteta; e dyta, ata që kanë shkelur ligjin të vihen para ligjit; e treta, nëse ka nevojë dhe ka vakuum ligjor, do të bëhen përmirësime të rregullave të lojës, që është Kodi Elektoral. Pastaj, për hapat e tjerë dhe qëndrimet politike, brenda së vërtetës së masës që do të jetë, sot ne themi që kemi të bëjmë me një legjitimitet të munguar, atëherë me rrugë dhe me mjete demokratike, sigurisht, do të ketë hapa të tjerë politikë, që do të jenë detyrimisht zgjedhje të parakohshme, me infrastrukturë të re, me rregulla të reja, me standarde të reja.

Me qeveri teknike, apo me këtë qeveri?
Nuk e di, nuk dua ta paragjykoj fare.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›