Nikoll Lesi emërohet zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Nikoll Lesi është emëruar zyrtarisht zëvendësministër i Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sporteve. Prej javësh ai përflitej në qarqet drejtuese të PD-së si favorit për zëvendësministër Kulture. Lesi firmosi një muaj para zgjedhjeve marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, duke u bërë pjesë e koalicionit “Aleanca e ndryshimit” me Partinë e tij Lidhja Demokristiane. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve treguan se Lidhja Demokristiane mori rreth 6000 vota, ose 0.40 për qind të tyre. Ndërsa kujtojmë se për një mandat duheshin afërsisht 2 për qind të votave në rang vendi. Nga 15 partitë që bënë koalicion parazgjedhor me Berishën, vetëm 2 prej tyre arritën të marrin nga një mandat deputeti. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore në maj 2009, Berisha është shprehur për Lesin: "Në ngritjen e problemeve ka qenë i ndryshueshëm, por kur ka ardhur puna te kthjelltësia politike, Lesi ka vendosur me votë, e cila ka qenë për koalicionet e duhura". Ndërsa Lesi ka thënë: "Në qoftë se ndonjëherë, zoti Berisha, zëri im indipendent ka ngritur probleme, i ka ngritur me dëshirën e mirë brenda një maxhorance demokratike, e cila funksionon me parimin e pavarësisë së secilit".
Postet
Një vendim qeverie i shpallur dje ka shkarkuar Arben Ivanajn si zëvendësministër i Shëndetësisë, duke e zëvendësuar atë me Bardh Spahinë. Ndryshime ka pasur edhe në rangjet e prefektëve. Klodian Pajuni u lirua nga detyra e prefektit të qarkut të Durrësit. Dhe në vend të tij u emërua Genci Alizoti, prefekt i qarkut të Durrësit. Rauf Troka u lirua nga detyra e prefektit të qarkut të Fierit duke u zëvendësuar me Bujar Hasën e LSI-së. Demokrati Pal Dajçi u emërua prefekt i qarkut të Lezhës.
Vetëm dy javë më parë, kryeministri emëroi tre zv.ministra të rinj. Ata janë përfaqësues të partive të vogla, që nuk arritën të marrin thuajse asgjë në zgjedhje. Kështu, Ekrem Spahia i Partisë Lëvizja e Legalitetit, nga zv.ministër Kulture, me vendim qeverie, u bë zv.ministër i Mbrojtjes. Zv.ministri i dytë i këtij dikasteri u emërua Arjan Starova, kryetar i Bashkimit Liberal Demokrat. Ndërsa futbollisti nga Kavaja, Dashnor Bajaziti u emërua zv.ministër i Kulturës, përfaqësues i PR-së. Në zgjedhjet e qershorit, Partia e Starovës mori 5 mijë vota në gjithë vendin, ose 0.33 për qind të tyre. Ndërsa Partia e legalistëve afro 10 mijë vota me afro 0.71 për qind të tyre.
Mandatet
Në koalicionin “Aleanca e ndryshimit”, vetëm dy parti të vogla morën mandat deputeti. Përkatësisht, PR-ja, 1 mandat dhe Partia e Çamëve (PDI), 1 mandat. Kjo e fundit ende nuk është përfaqësuar në asnjë nivel qeverisje. Deputeti që nxori tashmë i është larguar PDI-së, për të formuar një parti të re po në mbrojtje të të drejtave çame, bashkë me ish-deputetin e PS-së, Shpëtim Idrizi. Këta dy deputetë ende nuk janë deklaruar se cilit koalicion do t’i bashkëngjiten, PD-së apo PS-së, edhe pse zërat thonë se do shkojnë me maxhorancën.
24 Tetor 2009