E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, viktima e katërt

 

Trazhgim Sokolaj

Nadire Gjoni, vjehrra e plagosur nga dhëndri i saj mesditën e 3 korrikut gjeti vdekjen pas dhjetë ditë qëndrimi në spital, në orët e mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë dhe burimeve spitalore, 69-vjeçarja humbi jetën pas mesnate si pasojë e plagëve që mori me armë zjarri në banesën e saj më 3 korrik 2009 kur ajo, i shoqi dhe nipi i tyre u qëlluan me pistoletë nga emigranti Petrit Zaimi, 40-vjeç. Prej dhjetë ditësh, 69-vjeçarja luftonte me vdekjen në spital duke mbetur e vetmja e mbijetuar e tragjedisë në familjen Gjoni, ku bashkëshorti i saj Azbi Gjoni, gjeti vdekjen nga plumbat e dhëndrit të tij Petrit Zaimi, i cili vrau aksidentalisht edhe djalin e tij, Klevis Zaimi 16 vjeç, e më pas qëlloi edhe veten duke kryer vetëvrasje. Në kohën kur dhëndri qëlloi viktimat në banesën me qira të Azbi Gjonit në Allias të Tiranës, pranë Fakultetit të Mjekësisë, Nadire Gjoni mori dy plagë, por i shpëtoi vdekjes përkohësisht. Prej dhjetë ditësh mjekët bënë përpjekje për përmirësimin e gjendjes së gruas së plagosur, por ajo nuk arriti të mbijetojë. Me vdekjen e saj, numri i viktimave nga ngjarja e rëndë në familje, shkoi në katër. Gjatë kohës të qëndrimit në spital të Nadire Gjonit, policia tentoi disa herë ta marrë në pyetje atë, pasi 69-vjeçarja ishte e pranishme në dhomën ku Petrit Zaimi pati një mosmarrëveshje me vjehrrin e tij Azbi Gjoni e më pas qëlloi me armë, duke shkaktuar vrasjen e katërfishtë. E plagosura nuk arriti të ndihmojë hetimin me deklarimet e saj për ngjarjen, pasi gjatë gjithë kohës ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të marra. Dosja penale e krimit të rëndë në familje ende nuk është mbyllur edhe pse policia dhe prokuroria pohojnë se ajo është një ngjarje pa fajtor, pasi autori i saj ka vdekur. Hetuesit kanë dokumentuar faktin se emigranti Petrit Zaimi, 40-vjeç, i kthyer nga Greqia në ditët e fundit të qershorit, udhëtoi në drejtim të Tiranës bashkë me djalin e tij 16 vjeç, Klevis Zaimi. Emigranti ishte shprehur në familje se po shkonte në Tiranë, për të biseduar me vjehrrin e tij Azbi Gjoni, me vajzën e të cilit ishte divorcuar disa kohë pas martesës. Policia thotë se palët në mënyrë të vazhdueshme kanë pasur mosmarrëveshje pas divorcit të Petrit Zaimit nga e shoqja. Kjo e fundit është marrë në pyetje pak ditë më parë nga grupi i hetimit, pasi është kthyer nga Greqia. Gruaja e Petrit Zaimit nuk ndodhej në Shqipëri në kohën kur ndodhi ngjarja. Ajo fillimisht u kontaktua në telefon nga hetuesit dhe pas mbërritjes së saj në Tiranë dha deklarime lidhur me divorcin e saj me të shoqin.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›