E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidente në rrugë, vdesin dy persona



KURBIN/VLORE - Aksidente me pasojë vdekjen e dy personave ndodhën dje në superstradën Fushë Krujë - Lezhë dhe në Vlorë. Sipas policisë, rreth orës 09.45, tek mbikalimi i Patokut në Kurbin është përplasur mjeti betoniere, me targë LA 9492 A që drejtohej nga 42-vjeçari Lulëzim Lika, me një mjet çiklomotor pa targa. Për pasojë, ka vdekur drejtuesi i çiklomotorit, Jetmir Mehja, 33 vjeç nga fshati Bërdicë në Shkodër. Mësohet se rruga në të cilën ka hyrë viktima ka qenë e bllokuar, pasi aktualisht është në ndërtim mbikalimi i kryqëzimit të Patokut. Viktima është identifikuar nga banorë të zonës, të cilët e njihnin pasi ai sillte vazhdimisht peshk nga Shkodra dhe e shiste në Laç dhe Fushë-Krujë. Një tjetër aksident kishte ndodhur pak orë më parë në aksin Fushë Krujë - Vorë. Një makinë u përplas me një trajler, i cili transportonte lëndë ndërtimi. Pas aksidentit lënda është derdhur ndërsa shkaktoi edhe përplasjen e 4 mjeteve të tjera. Të plagosurit në këtë aksident u transportuan në Spitalin Ushtarak. Po dje një 37-vjeçar nga Vlora gjeti vdekjen pasi makina ku udhëtonte u përplas me pemën. Ngjarja ndodhi në aksin Vlorë-Triport, në zonën e Pyllit të Sodës. Mjeti që drejtohej nga Ali Hyseni doli nga rruga duke u përplasur me disa pisha. Përplasja ishte shumë e fuqishme sa që mjeti tip "Punto" me targa italiane është ndarë më dysh, ndërsa drejtuesi i saj gjeti vdekjen e menjëhershme. r.n/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›