Basha: Letra e Ramës për vizat, shfajësim i panevojshëm
adi shkembi
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e quajti dje shfajësim të panevojshëm letrën që kreu i PS-së, Edi Rama, i dërgoi Presidentit të KE-së, Manuel Barroso, lidhur me heqjen e vizave me Shqipërinë. Duke folur para studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës, në forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve", Basha tha se eksponentë të opozitës kanë tentuar të vonojnë heqjen e vizave. "Në kuptimin thelbësor kam vërejtur me shqetësim përpjekjet për ta vonuar, apo për ta dëmtuar qoftë edhe nga ana e imazhit, përpjekjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, jo nga opozita në tërësi, por nga eksponentë të rëndësishëm të opozitës. Në këtë kontekst, më vjen keq për letrën e zotit Rama drejtuar Kryekomisionerit Barroso, orë pasi komisioni kishte mbaruar punë me propozimin për liberalizimin e vizave, e shikoj si një shfajësim të panevojshëm të zotit Rama", tha Basha. Sipas tij, heqja e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ka një ndikim pozitiv edhe në aspektin ekonomik. "Liberalizimi i vizave në terma ekonomikë do të thotë se ekonomia shqiptare, qytetarët shqiptarë nuk do të duhet më të shpenzojnë midis 70-90 milionë euro në vit, duke paguar tarifat konsullore, në ambasadat e BE-së. Kjo është një shumë e konsiderueshme, e cila përfaqëson 0.5-0.8 % të prodhimit bruto të vendit". Duke informuar mbi modernizimin të sistemit të kontrollit kufitar, ministri Basha u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, i cili ka integruar plotësisht të 24 pikat e kalimit kufitar, duke i pajisur ato me sisteme ndërlidhjeje on- line.
Reagimi i PS
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, reagoi menjëherë dje në lidhje me deklaratat e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila shprehu keqardhje që opozita nuk është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave. Tahiri tha se, makthi i vizave ende shtyhet pa afat dhe për këtë duhet të japin llogari ata që mburren. "Jozefina Topalli, spikerja më abuzive e Parlamentit në shërbim të abuzimit dhe korrupsionit parlamentar, me përgjegjësi kryesore për cenimin e demokracisë parlamentare dhe shtetit ligjor, si edhe Lulëzim Basha, ministri më i kërkuar nga drejtësia për vjedhjen kolektive të pasurisë publike, filluan shfaqjen mburravece para kamerave, kur sot duhet të mbajnë përgjegjësi më shumë se kurrë, se ëndrrën shumëvjeçare të shqiptarëve për të lëvizur pa viza e kanë kthyer në makth pambarim, që ende vazhdon e shtyhet pa afat", tha Tahiri. Në reagimin e tij deputeti i PS u shpreh se medaljen për vizat e meritojnë qytetarët shqiptarë, ndërsa theksoi se Qeveria duhet të përmbushë më parë disa standarde. "Propozimi për liberalizimin e vizave është thirrja e përsëritur e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të përmbushur kriteret që kanë mbetur dhe jo rast për të ngulur në gjoks medaljet e suksesit, që sot nuk i meriton askush nga maxhoranca dhe aq më pak spikerja abuzive e Parlamentit, apo ministri i kërkuar nga drejtësia", theksoi deputeti i PS.
Sali Berisha
"Heqja e vizave për shqiptarët përbën një ndër arritjet më madhore në historinë e lirisë së tyre. Me heqjen e vizave qytetarët e një vendi të vogël, qytetarët shqiptarë që vetëm 20 vite më parë jetonin të rrethuar nga tela me gjemba do të mund të lëvizin të lirë, në mbarë hapësirën evropiane, si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre. Me heqjen e vizave lëvizjen tuaj e të mbarë shqiptarëve, në hapësirën e pafundme evropiane, çdo qytetar shqiptar, çdo qytetar i këtij vendi fiton dinjitet të ri, fiton dinjitetin e të qenit qytetar evropian", u shpreh kryeministri dje në Berat.
Luan Rama
"Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndet vendimin e Këshillit të Komisionerëve të Bashkimit Europian, për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe e konsideron këtë hap çeljen e udhës për një proces të pakthyeshëm që i bën shqiptarët të ndjehen më pranë Europës. Qeveria e Integrimit Europian ku LSI është kontributor serioze dhe e rëndësishme dhe i gjithë angazhimi politik në të mirë të realizimit të këtij procesi dëshmuan dhe një herë se serioziteti dhe angazhimi në përmbushjen e kritereve u shpërblyen më këtë vendim historik", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.