E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liron” vrasësin, arrestohet hetuesi



Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi dje një oficer të policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Fierit, i cili akuzohet se ka mbledhur prova të paligjshme në një dosje vrasje, duke shkaktuar lirimin e autorit të krimit në Gjykatën e Lartë. Shtetasi Vasil Ristani, me detyrë oficer i policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Fierit, u arrestua dje nga një grup oficerësh të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Hetuesi akuzohet se ka administruar në mënyrë të paligjshme, prova penale të rreme në dosjen e një vrasje të hetuar prej tij. Provat e paligjshme, konkretisht marrja e deklarimeve nga tre persona, në lidhje me vrasjen e ndodhur në vitin 2004, janë bërë nga oficeri Vasil Ristani pa autorizimin e prokurorit dhe në mënyrë të paligjshme. Për më tepër, dëshmitë e mbledhura "privatisht" nga i arrestuari janë përdorur në Gjykatën e Lartë nga avokati i të dënuarit për vrasje, i cili është shpallur i pafajshëm mbi bazën e këtyre provave false. Personat e marrë në pyetje nga hetuesi, dyshohet se kundrejt pagesës dhe rrethanave të tjera kompromentuese kanë dëshmuar se autori i vrasjes së ndodhur në vitin 2004 te rruga e Durrësit në Tiranë, kishte qenë në Fier në këtë kohë. Ministria e Brendshme tha dje se oficeri hetues Vasil Ristani është akuzuar për veprat penale të "korrupsionit nga persona që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim detyre".
Skandali i drejtësisë
Hetimi që u finalizua dje me arrestimin e hetuesit të Prokurorisë së Fierit, duket një rast ekzemplar kur sistemi pastron veten e tij. E gjithë fillesa e hetimit të këtij rasti ka qenë vendimi i pafajësisë së dhënë në Gjykatën e Lartë ndaj të dënuarit, nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, për vrasjen e ndodhur në vitin 2004 në Tiranë. Prokuroria e Tiranës ka rënë në dijeni të faktit se në dosjen penale, të shqyrtuar në Gjykatën e Lartë, ndodheshin aktet e tri dëshmive të cilat ishin marrë "jashtë procedure" nga oficeri hetues Vasil Ristani. Prokuroria menjëherë i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Brendshme për verifikimin e këtij rasti, duke theksuar se provat e marra nga oficeri i Fierit ishin të paligjshme. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur menjëherë hetimin. Nga ky hetim ka rezultuar se në vitin 2004, në afërsi të shkollës "Qemal Stafa", te rruga e Durrësit në Tiranë, ka ndodhur një vrasje. Krimi ka ndodhur për hakmarrje, ndërsa autori i vrasjes është dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Apel. Pasi vendimi për dënimin e tij ka marrë formë të prerë, brenda afatit, avokati ka bërë kërkesë për rishikimin e vendimit. Ai ka paraqitur në Gjykatën e Lartë dëshmitë e tre personave, të cilat janë pranuar nga Kolegji Penal i cili menjëherë ka vendosur shpalljen të pafajshëm të personit që ishte akuzuar për vrasjen e vitit 2004 në Tiranë. Sipas hetimit të SHKB, dëshmitë e përdorura nga avokati ishin marrë prej oficerit tashmë të arrestuar, Vasil Ristani, i cili nuk e kishte referuar këtë fakt te prokurori i çështjes dhe as te Prokurori i Rrethit. Menjëherë SHKB ka referuar dosjen në Njësinë Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Fierit, ku ka nisur hetimi i skandalit.

I liruari për vrasjen, i dënuar me shtatë vjet burg për drogë
TIRANE - Personi i cili është liruar me "dëshmi të sajuara" nga akuza për vrasjen e ndodhur në Tiranë në vitin 2004, sipas hetimeve të Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, ka qenë ndërkohë i dënuar me shtatë vjet burg për akuzën e trafikut të drogës. Pavarësisht se kishte një dënim për trafik droge, ndërsa po gjykohej për vrasje, i akuzuari është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë dhe aktualisht është person në kërkim. Sipas Prokurorisë, është e paqartë mënyra se si janë konsideruar prova në Gjykatën e Lartë, deklarimet e marra nga hetuesi në rrugë jashtëgjyqësore. Për këtë skandal, Gjykata e Fierit me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj hetuesit Vasil Ristani. Masa e arrestit është ekzekutuar ditën e djeshme, ndërkohë Ministria e Brendshme në një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen, shprehet se Vasil Ristani akuzohet se për qëllime përfitimi dhe duke shpërdoruar atributet e policisë gjyqësore, ka sajuar prova të rreme gjatë hetimit të një ngjarjeje të rëndë kriminale, duke sjellë si pasojë pafajësinë e një autori vrasjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›