E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind vajzë në maternitet e dënuara me tre muaj burg për prostitucion



TIRANE - Lind vajzë e dënuara me tre muaj burg. Burime nga burgjet pohojnë se dy ditë më parë, në maternitetin e kryeqytetit ka lindur vajzë e burgosura M. Daullxhiu, e cila ishte dërguar në qeli vetëm 20 ditë më parë. Sipas të njëjtave burime, e dënuara për prostitucion është arrestuar në qytetin e Durrësit pasi i kishte marrë formë të prerë vendimi i dënimit të saj. Ajo është dërguar menjëherë në qelitë e burgut 325 në kryeqytet, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia. Pesë ditë më parë, asaj i kanë nisur në qeli dhimbjet e lindjes dhe është përcjellë me urgjencë për në maternitet, ku ka lindur vajzën e saj. Dy ditë më vonë, pasi ka marrë ndihmën e duhur mjekësore, Daullxhiu dhe foshnja e saj janë përcjellë sërish në qelitë e burgut 325, ku është akomoduar në ambientet e veçanta për nënat me fëmijë të porsalindur. Në këtë institucion, prej disa vitesh funksionon një çerdhe për nënat me fëmijë të vegjël, që përfundojë në qeli, si dhe ato shtatzëna, ku qëndrojnë së bashku me fëmijët derisa mbushin moshën tre vjeç. Pas kësaj, fëmijët nxirren jashtë burgut dhe dërgohen pranë familjeve, ose në rastet kur familjarë të nënave të burgosura nuk marrin përsipër të kujdesen për fëmijët e vegjël, atëherë këta dërgohen ose nëpër jetimore të ndryshme ose nëpër shoqata bamirëse, që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Tashmë është bërë praktikë, për nënat që kanë fëmijë të mitur, mbi tre vjeç, të cilët jetojnë në ambientet e shoqatave bamirëse, duke koordinuar grafikun e takimeve. çdo muaj burgu u mundëson nënave dërgimin në ambientet ku mbahen fëmijët. Ndërkohë shoqatat marrin përsipër dërgimin e fëmijëve në burg, për të takuar nënat minimalisht një herë në muaj. Aktualisht në qelitë e burgut 325 në Tiranë ndodhet edhe një e burgosur tjetër shtatzënë, e cila ndodhet në muajin e pestë të shtatzënisë. Kjo është dënuar me 20 ditë burg dhe pritet që të lirohet pas pak ditësh. Burime nga burgu pohojnë se ajo po mbahet nën përkujdesjen mjekësore, në mënyrë që t'i krijohen të gjitha kushtet e duhura. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›