Ish-punëtorët e NB-së në protestë
ORIKUM - Protesta e ish-punëtorëve të NB-së së Orikumit përfundoi dje në përplasje me policinë, në tentativë për të hyrë brenda godinës së bashkisë. Ata kërkojnë përfitimin e tokës ku kanë punuar para viteve '90, duke u nisur nga ligji 7501. Pas disa muajsh protesta, ish-punëtorët e NB-së u mblodhën para sheshit të Bashkisë së Orikumit, ku me banderola në duar i bënë thirrje kreut të Qeverisë dhe kryebashkiakut t'u japin zgjidhje kërkesave të tyre, duke u dhënë certifikatat e pronësisë. "Kryeministri duhet të vijë në Orikum të shohë korrupsionin e pushtetit vendor dhe t'i japë zgjidhje e të zhdukë njëherë e mirë duart e mafies së tokave që janë shtrirë deri në Orikum". Ata hynë në ambientet e bashkisë, me qëllim të takoheshin me kryetarin e saj, Kanan Braho. Gjatë kësaj tentative janë përplasur me forcat e policisë. Pasi nuk kanë mundur të realizojnë takimin ata janë shpërndarë për të vazhduar në ditët e ardhshme protestat. q.b