E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës, dështon mbledhja e Këshillit



Buxheti i Tiranës mbetet sërish pezull. Ndonëse për pak ditë hyjmë në muajin e gjashtë të vitit, fondet e investimeve të kryeqytetit janë në ajër. Dështoi dje për të disatën herë radhazi mbledhja e Këshillit Bashkiak. Shkak është bërë mungesa e kryetarit Sokol Dervishaj. Përfaqësuesit demokratë nuk pranuan që mbledhja të drejtohej nga nënkryetarët e këshillit, ndërsa socialistët kërkuan që diskutimet për buxhetin të vazhdojnë. Palët u tërhoqën për të marrë një vendim dhe kjo i dha fund edhe takimit të djeshëm, që vjen pas dy muajsh heshtje. Të pyetur nga gazeta, dy krerët e grupeve të PS e PD parimisht e shohin domosdoshmëri miratimin e buxhetit. Por, sipas kryetares së grupit të PS në Këshill, Adriana Berberi, ndërprerja e mbledhjes erdhi si pasojë e një vendimi politik, për të mos kaluar buxhetin. "Mbledhja nisi normalisht, por siç duket për ndonjë vendim politik të caktuar më parë, për të mos kaluar buxhetin, anëtarët e djathtë ngritën pretendime për mungesën e kryetarit të këshillit. Ata kërkuan 30 minuta pushim dhe mbledhja nuk vijoi më", tha Berberi. Sipas saj, nuk ka ende një njoftim për mbledhjen e ardhshme, ku do të diskutohet buxheti i Tiranës. Ndërkaq, e pyetur nëse me tejkalimin e afateve për mbledhjet dhe mosmiratimin e buxhetit, këshilli duhet të shkrihet, Berberi theksoi se këtë vendim e merr Kryeministri pas një propozimi që i bëhet. Argumentet e kryetarit të grupit të PD në këshill, Ferdinand Poni, ishin disi më të ndryshme. Ai tha për gazetën se miratimi i buxhetit të Tiranës kërkon legjitimitet dhe seriozitet dhe mbledhjen duhet ta drejtojë patjetër Kryetari i Këshillit Sokol Dervishaj. "Ne kërkuam një mbledhje sa më serioze dhe angazhimin maksimal, në mënyrë që buxheti i Tiranës të ketë vëmendjen e duhur. Gjithashtu kemi kërkuar edhe një sërë materialesh, të cilat nuk ka janë vënë ende në dispozicion. Sapo të bëhet njoftimi i radhës, ashtu siç duhet, jemi të gatshëm të kalojmë sëbashku buxhetin, por të tillë që mos u rëndojë qytetarëve", tha Poni. Tashmë është shkelur çdo afat ligjor për miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të Tiranës. Afati i fundit zyrtar për të hedhur në votë Buxhetin Bashkiak ishte 31 marsi. Ndërkohë që, vendorët kryeqytetas vazhdojnë të punojnë, duke shfrytëzuar një të 12-ën e fondeve të buxhetit të mëparshëm. Sipas ligjit, në rast se këshilli pa arsye nuk mblidhet për një afat prej 3 muajsh, ai shpërndahet dhe hyn automatikisht në zgjedhje të reja. Por këtë vendim e merr Kryeministri, të cilit i dërgohet propozimi sipas ligjit në fuqi. Megjithëse mbledhjet kanë dështuar, këshilli ka kryer veprimtari në këtë hark kohor, çka lë klauzolë të lirë për të mos u bërë shpërndarja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›