Aksidentet ; Dy të vdekur në 30 minuta në Lushnje
Nuk kanë kaluar as 30 minuta ku janë shënuar dy aksidente të njëpasnjëshme në Lushnje. Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 21:30 të së enjtes, kur 42-vjeçari, Ramadan Alimani nga qyteti i Sarandës ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin mbrojtës. Sipas hetimeve të para të policisë, Alimani nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë drejtimit të automjetit, kështu që ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe është përplasur me murin. Mësohet se ky i fundit udhëtonte i vetëm me mjetin e tij tip “Benz”, i cili nuk ka mundur t’i shpëtojë murit të gurtë të kanalit anësor të rrugës, ku dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nuk ka mjaftuar me kaq, kur vetëm pas 30 minutave ka mbetur i vdekur një person tjetër. Sipas policisë lokale, ka qenë 44-vjeçari Gazmir Çobaj nga qyteti i Vlorës, i cili ka aksidentuar me pasojë vdekje një shtetas të seksit mashkull ende të paidentifikuar, ku ky i fundit ka qenë kalimtar i thjeshtë. Aksidenti i dytë ka ndodhur rreth orës 22:00 në segmentin rrugor Lushnje-Fier, në vendin e quajtur karburanti “ISA”. 44-vjeçari Çobaj, i cili është edhe autori i aksidentit, drejtonte mjetin tip “Mitsubishi” me targa CJ 606 ET. Burimet policore të rrethit thanë se “rreth orës 24:00 të ditës së enjte efektivat e policisë ndaluan 44-vjeçarin me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.