E Diel, 1 Nëntor 2026

Jordanezi Ramzeh Rayyan, kallëzim penal Hekuran Vladit



Agjencia e Administrimit të pasurive të sekuestruara e konfiskuara e caktoi kryekomisioner për pronat e Yassin Kadisë. Administratori i tij e akuzon për “shpërdorim detyre”

Hamzeh Abu Rayyan ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal në ngarkim të shtetasit Hekuran Vladi, të cilin e akuzon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Administratori jordanez i pronave të Yassin Kadisë kallëzoi penalisht kryekomisionerin që është caktuar nga ana e Agjencisë së Administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara. Sipas kallëzimit penal, bëhet e ditur se Vladi ka ushtruar presion mbi qiramarrësit duke u bërë me dije se nëse nuk firmosnin kontratat do të përfundonin në polici. Po sipas Rayyanit, ka ushtruar edhe kontrolle të herë pas hershme në këto objekte nga ana e policisë tatimore. Nëpërmjet këtij kallëzimi penal, Hamzeh Abu Rayyan i kërkon Prokurorisë së Tiranës ndjekjen e tij penale për “shpërdorimin e detyrës”. Ndërkohë që, dy ditë më parë, togat e zeza të Shkallës së Parë për Krime të Rënda kanë pranuar kërkesën e jordanezit të pandehur, për të thirrur si dëshmitar kryekomisonerin Vladi dhe të tjerë persona që kanë punuar në këtë agjenci. Togat e zeza rrëzuan kërkesën e tij për thirrjen e tyre si dëshmitarë të ish-ministrit të Financave, Arben Malaj dhe atij aktual Ridvan Bode.

Akuza

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave më 10 gusht të vitit 2006 ka bërë kallëzim në ngarkim të shoqërisë “Lloxhall” sh.p.k. me administrator jordanezin Hamzeh Abu Rayyan. Pronari i kësaj shoqërie ka rezultuar të jetë një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare, ai i Yassin Kadisë, i cili ndodhet që nga data 17 tetor në vitin 2001 në listën e OKB-së, si i dyshuar për financim terrorizmi. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, edhe pse shteti shqiptar ka urdhëruar sekuestrimin e aseteve të Yasim Kadisë, kjo shoqëri ka vazhduar aktivitetin. Gjatë hetimit, prokuroria ka konstatuar se kjo shoqëri vazhdonte punën e saj nëpërmjet dhënies me qera të pasurive të paluajtshme pronë e saj. Gjithsej në Tiranë kanë rezultuar 19 objekte, të cilat janë dhënë me qera. Veçori e këtij aktiviteti qiradhënës, sipas hetuesve, është se pagesat e qerave përkatëse janë kryer të gjitha në kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Në kuadër të hetimeve, janë marrë deklarime nga të gjithë qiramarrësit e “Loxhall”, të cilët deklarojnë vlerën e qerasë për objektet përkatëse si dhe konfirmojnë faktin se pagesat e qerasë janë bërë të gjitha në kesh. Sipas prokurorisë, i pandehuri Rayyan ka marrë dijeni për vënien nën sekuestro të shoqërisë nga ana e Ministrisë së Financave dhe ai në mënyrë aktive duke vazhduar aktivitetin. Me mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ta pushojë akuzën për financim terrorizmi duke lënë vetëm atë të “fshehjes së fondeve dhe pasurive ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›