E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi një shtetas, ndalohet 27-vjeçari Prela

Tropojë

Një 27-vjeçar nga Tropoja u ndalua mëngjesin e djeshëm nga policia e Bajram Currit, pasi plagosi tri ditë më parë me armë zjarri një 20-vjeçar, pas një grindjeje për motive të dobëta. Sipas burimeve zyrtare policore, 27-vjeçari Sajmir Prela, nga fshati Pac i rrethit të Tropojës, u ndalua mëngjesin e djeshëm, pasi ishte shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri (automatik tip kallashnikov) të shtetasit Ndriçim Ndrepepa, 20 vjeç, në fshatin Cërnicë. Sipas të njëjtit burim zyrtar policor, në momentin e ndalimit, 27-vjeçari nuk u ka bërë rezistencë forcave të policisë, ndërsa ende nuk i është gjetur arma e krimit, të cilën mendohet ta ketë fshehur pas kryerjes së krimit. Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë, në afërsi të fshatit Cërnicë, rreth 4 kilometra larg qytetit të Bajram Currit, kur pas një grindjeje për motive të dobëta, Prela ka qëlluar me automatik 20-vjeçarin Ndriçim Ndrepepa, duke i shkaktuar plagë të rënda në bark e në krah. Ndërkohë, bëhet e ditur se i plagosuri, i cili u dërgua menjëherë në spitalin e Gjakovës, ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Tiranë

Gjendet i vetëvarur në banesë një 35-vjeçar

Një 35-vjeçar nga Tirana i ka dhënë fund jetës dy net më parë duke u vetëvarur në banesën e tij, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje. Burime zyrtare nga policia e Tiranës njoftuan se shtetasi Nexhmi Cullhaj, 35 vjeç, është gjendur i vetëvarur në banesën e tij në Sauk, Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, paraprakisht dyshohet se viktima ka konsumuar shpeshherë pije alkoolike dhe së fundmi, kishte shfaqur edhe shqetësime nervore. Nga të njëjtat burime mësohet se aktet procedurale për këtë ngjarje i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›