E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e bar “Palmës”, burg përjetë Blendi Shehut

Akuzohet për vrasjen e dyfishtë të Edgar Libohovës e Angjelin Haxhit dhe plagosjen e Kosta Haxhit e Xhevahir Ndoit, në vitin 1999 në “Rrugën e Durrësit”. Një nga autorët e ngjarjes së rëndë, Adrian Brahimaj, sipas akuzës, tashmë nuk jeton, ndërsa tjetri, Blendi Shehu, ndodhej në burg i dënuar në vitin 2000 për “përdhunim të miturash”. Për zbulimin e kësaj ngjarjeje të vjetër, e cila ka ndodhur në vitin 1999, janë dashur vite të gjata hetimi nga ekspertët e policisë kriminale të komisariatit nr 3

Ekzekutoi dy persona, dy të tjerë mbetën të plagosur, kërkohet “burgim i përjetshëm” për Blendi Shehun, i akuzuar për “vrasje me paramendim” dy herë, në bashkëpunim dhe “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, dy herë. Të paktën një prej vrasjeve të “luftës” së hapur mes djemve të “Rrugës së Kavajës” i ka të identifikuar dy autorët, ndonëse pas 7 vitesh. Sipas akuzës, autorët ishin dy, Blendi Shehu e Adrian Brahimaj, i pari në burg për veprën penale të “përdhunimit të të miturave” që prej vitit 2000, ndërsa i dyti ka mbetur i vrarë në kryeqytetin helen për hakmarrje. Autorët e dyshuar të ngjarjes u zbuluan dy vjet më parë, ndërsa gjykimi ka të paktën dy vjet që zgjat, derisa dje u arrit në deklarimin fajtor të të pandehurit Shehu dhe dënimin e tij me “burgim të përjetshëm”. Madje, përveç provave të servirura nga akuza, togat e zeza u kërkuan autoriteteve greke me anë të një letër-porosie të dhëna të tjera shtesë, lidhur me atentatorin e dytë, Adrian Brahimaj, i cili u ekzekutua për hakmarrje në Athinë.

Akuza

Shtatë vjet pas masakrës në “Rrugën e Durrësit", ku u vranë dy persona e u plagosën dy të tjerë, policia dy vjet më parë mund të hedhë dritë mbi autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Një nga autorët e ngjarjes së rëndë, Adrian Brahimaj, sipas akuzës, tashmë nuk jeton, ndërsa tjetri, Blendi Shehu, ndodhej në burg i dënuar në vitin 2000 për “përdhunim të miturash”. Për zbulimin e kësaj ngjarjeje të vjetër, e cila ka ndodhur në vitin 1999, janë dashur vite të gjata hetimi nga ekspertët e policisë kriminale të komisariatit nr 3. Vrasja me armë zjarri ka ndodhur në “Rrugën e Durrësit” tek bar “Palma”, ku janë vrarë Edgar Libohova, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe Angjelin Haxhi, 16 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Breshërisë nuk i kanë shpëtuar edhe Kosta Haxhi, 36 vjeç e Xhevahir Ndoi, 26 vjeç. Sipas akuzës, përgjatë 7 viteve hetimesh intensive, u arrit në identifikimin e autorëve të masakrës, të cilët ishin Adrian Brahimaj, i njohur me pseudonimin “Kotali”, 31 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i larguar me familjen e tij në emigracion në Greqi. Aktualisht, ky shtetas rezulton të jetë vrarë në Athinë, për hakmarrje. Autori tjetër i ngjarjes është Blendi Shehu, i njohur me pseudonimin “Thomçi ”, 31 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë. Ky shtetas në momentin e zbardhjes së ngjarjes ishte i dënuar nga Gjykata e Tiranës, me vendim nr. 180, të datës 27 mars të vitit 2000, me 9 vjet heqje lirie, për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura” dhe ndodhet në qelitë e burgut 302 në Tiranë. Pas atentatit, në vendin e ngjarjes u gjet një pistoletë tip "Zastava" me një fishek në gojë, e cila i përkiste Libohovës, si dhe 15 fishekë të tjerë në karrikator. Vrasjet, po sipas akuzës, janë kryer për motive hakmarrjeje.

Vrasjet e “Rrugës së Kavajës”

Viti 1999 shënohet në kalendar si viti i ndarjes së grupit. Sipas burimeve nga policia, shkaku i përfolur i kësaj ndarjeje mësohet se ka qenë prishja e pazareve në trafiqe të ndryshme, por që asnjëherë këto nuk janë të vërtetuara zyrtarisht. Kështu, më 27 mars të vitit 1999, në afërsi të lokalit "VIP", pranë ish-Bllokut, u ekzekutua Ervin Borova. Kjo shërbeu në të njëjtën kohë si start i vrasjeve të djemve të “Rrugës së Kavajës”. Sipas policisë, autori i kësaj vrasjeje ende nuk ka një emër. Por të njëjtat burime pohojnë se familja Borova pësoi edhe një viktimë tjetër. Vëllai i Ervinit, Ergysi, u qëllua për vdekje në 4 maj të 1999-ës në banesën e tij, në Tiranë. Anëtarët e grupit, mbështetës të Borovës, kundërpërgjigjen vetëm më 22 qershor të vitit 1999. Në periferi të Tiranës, pranë vendit të quajtur "Fusha e druve", ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Median Shehu, të cilët në momentin e atentatit po udhëtonin me një makinë të blinduar. Një vrasje sa e bujshme për mënyrën e ekzekutimit, po aq për personazhet që ishin kthyer në viktima. Vetëm në pak orë policia arrestoi autorët, të cilët, sipas saj, ishin Ilir Bardhi dhe Genc Ferhati. Vrasje e djemve të “Rrugës së Kavajës” është cilësuar, sipas policisë, edhe ajo e Elton Zajmit më 14 dhjetor 1999, ku sipas uniformave blu, autori ishte Andi Hasani. Ndërkohë, të njëjtat burime pohojnë se këtij të fundit i kundërvihet për këtë rast Elidon Kotorri, i cili tashmë gjendet në burg i dënuar përjetë. Pak ditë pas vrasjes së Zajmit, shënohet atentati i radhës, pikërisht më datën 23 dhjetor 1999 pranë Presidencës. Kësaj radhe shënjestra vdekjeprurëse ishte vënë mbi Santiliano Elezin dhe Fatmir Hadon. Të njëjtin fat po me 11 janar 2000, pati Andi Hasani, Sokol Alushi, si dhe Gazmend Zeneli. Më pas është vrarë vëllai i këtij të fundit, Arjan Zeneli, i njohur me nofkën "Gaforrja". Por vrasjet bëhen edhe më spektakolare, kur më 9 mars të vitit 2000, në Burgun 313 ekzekutohet me një armë tip snajper, nga pallati përballë godinës së burgut, Ilir Bardhi, atentatori i Denis Ginës. Sipas policisë, autorët ishin Roland Kostare dhe Alban Dani. Por, Kostare nuk mundi t'u shpëtojë dot forcave speciale të RENEA-s që për fatin e keq të tij "banonin" pak metra larg vendit të ngjarjes. Ai u arrestua duke u futur në të njëjtin burg me rivalët. Ndërsa Dani do të kishte një fat shumë më tragjik. I akuzuari për atentat në burg, vritet në Durrës në pistën "Iliria". Në fund të vitit 2001 ndodh atentati ndaj Ilir Borovës, vëllait të tretë të vëllezërve të vrarë më 1999, Ervinit dhe Ergysit. Nga ky atentat mbeti i vdekur shoku i tij, Ilirjan Zhupani. Më 1 prill të vitit 2002, sipas uniformave blu të kryeqytetit, vritet Erald Hashorva, edhe kjo një ngjarje shumë e rëndë, por që ende është pa autor.

Emrat

Vrasje në vitin 1999

1. Ervin Borova

2. Ergys Borova

3. Denis Gina

4. Median Shehu

5. Elton Zajmi

6. Santiliano Elezi

7. Fatmir Hado

8. Edgar Libohova

9. Angjelin Haxhiu

10. Ardian Brahimaj

Vrasje të vitit 2000

11. Andi Hasani

12. Sokol Alushi

13. Gazmend Zeneli

14. Arjan Zeneli

15. Ilir Bardhi

16. Alban Dani

Vrasje të vitit 2001

17. Ilirjan Zhupani

Vrasje të vitit 2002

18. Erald Harshova

Atentatet

19. Ilir Borova

Të plagosur

20. Kosta Haxhi

21. Xhevahir Ndoi

Të arrestuar

22. Genc Ferhati

23. Elidon Kotorri

24. Emiljano Shullazi

25. Blendi Shehu

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›