E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, 1 i vdekur dhe 8 të plagosur në tre aksidente



Ditët e verës vazhdojnë të regjistrojnë aksidente në rrugë, ku vetëm gjatë 36 orëve të fundit janë shkaktuar 1 i vdekur dhe 8 të lënduar. Dje në mesditë, janë aksidentuar pjesëtarët e një familje nga Kosova, të cilët po vinin për turizëm në Shqipëri. Ngjarja e rëndë ndodhi në Tropojë, ndërsa dy aksidente të tjera ndodhën në Shkodër, të cilët patën një bilanc me pesë të plagosur. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit thanë se rreth mesditës së djeshme, në rrugën Bajram Curri-Qafë Morinë, një makinë me targa të Kosovës, ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Ragam, rreth 6 km larg qytetit të Bajram Currit. Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Liljana Saraçini dhe janë plagosur bashkëshorti i saj, Besnik Saraçini, drejtues i autoveturës, motra e tij dhe një nipi i tyre. Pas ndihmës së parë në spitalin e Bajram Currit, pritet që të plagosurit të përcillen me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Dy ditë më parë, rreth orës 17.00 një tjetër aksident ndodhi në aksin rrugor Shkodër- Kryebushat, tek kryqëzimi i fshatit Melgush. Një automjet tip Benz 190, ngjyrë e bardhe me targë SH 3821 D, ka dalë nga rruga. Oltion Xhavit Sherri, 30 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Lezhës, teksa drejton mjetin e tij, është përballur me një defekt. Goma e krahut të djathtë të makinës ka dalë nga aksi duke nxjerrë mjetin jashtë rruge. Për pasojë, është plagosur shtetasja Suela Sherri, 24 vjeçe, bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, Ermira dhe Lumturie Shala. 24-vjeçarja Sherri është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ndërsa shoferi Sherri dhe dy femrat e tjera kanë marrë plagë të lehta. Po atë ditë, në të njëjtën orë, në aksin rrugor Shkodër- Koplik, në vendin e quajtur fshati “Vrakë”, të komunës Gruemirë janë aksidentuar shtetasit Tom Struga, 54 vjeç, banues në “Fushëkuqe”, në rrethin e Kurbinit, dhe shtetasi Eduart Mecaj, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin “Brigje – Hot” të komunës Kastrat. Dy të lënduarit po udhëtonin me motorçikleta, kur ka ndodhur përplasja. Dy të plagosurit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë kthyer në banesat e tyre.

Mbytet në kanal fëmija 9-vjeçar, po luante me shokët

SHKODËR – Një fëmijë është gjetur i mbytur në kanalin e ujit të fshatit Mjedë. Sipas burimeve të policisë mësohet se fëmija është rreth moshës 9 vjeç ndërsa është gjetur rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme pa jetë. 9 vjeçari me iniciale K.P mësohet të jetë banues në fshatin Mjedë dhe ka qenë duke luajtur në afërsi të kanalit. Ai është gjetur nga pjesëtarë të familjes së tij, të cilët e kanë dërguar menjëherë në spitalin Rajonal të Shkodrës, por i mituri 9 vjeçar kishte humbur jetën menjëherë pasi kishte rënë në kanalin e ujit të fshatit. Dy muaj më parë në të njëjtin rreth u regjistruan dy raste të mbytjes së të miturve, ngjarje këto të ndodhura brenda pak ditësh.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›