Aksidentet, 2 të vdekur dhe 10 të plagosur brenda pak orësh
Rikthehet seria e aksidenteve të përgjakshme në rrugët e vendit tonë. Të paktën dy persona kanë gjetur vdekjen dhe 10 të tjerë janë plagosur në disa incidente të ndodhura në Lushnjë, Shkodër dhe Kukës. Në orët e vona të së enjtes, brenda harkut kohor të 30 minutave, në rrethin e Lushnjës janë shënuar dy aksidente automobilistike të shoqëruara me dy viktima. Ka qenë ora 21.30 kur 42-vjeçari, Ramadan Alimani nga qyteti i Sarandës, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit tip “Benz” që drejtonte dhe është përplasur me murin e gurtë të kanalit anësor të rrugës , duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor “Tiranë–Lushnjë”, te rrethrrotullimi i Çermës. Pak më vonë një tjetër aksident automobilistik ndodhi në rrugët e Lushnjës. Ka qenë ora 22.00 e mbrëmjes së ditës së enjte, kur 44-vjeçari, Gazmir Çobaj, nga qyteti i Vlorës, ka aksidentuar me pasojë vdekje një shtetas të seksit mashkull ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor “Lushnjë-Fier”, në vendin e quajtur karburanti “ ISA“. Autori i aksidentit drejtonte mjetin tip “Mitsubishi” me targa CJ 606 ET, ndërsa viktima ka qënë kalimtar, i cili nuk është identifikuar ende. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në hyrje të qytetit të Shkodrës, shtetasi Bedri Hasanaj, teksa drejtonte automjetin tip “Ford”, me targë SH 2322 A, përplasi fëmijën 10-vjeçar Grisel Meti, lindur dhe banues në fshatin Berdicë. Hasanaj e dërgoi fëmijën në spital dhe më pas u paraqit në komisariat për zbardhjen e ngjarjes. I mituri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Shkodrës. Ndërsa në aksin rrugor Dibër-Kukës, një furgon pasagjerësh ka dalë nga rruga, duke shkaktuar plagosjen e 8 personave. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në komunën e Grykës së Cajës, rreth 200 metra pa mbërritur tek “vendi i mirë” në fshatin Buzëmadhe. Sipas policisë mes 8 të lënduarve, më rëndë është shoferi Vladimir Gjabri nga Bushtrica dhe një vajzë 17-vjeçare.
7 Qershor 2008