Ekspertiza: “Gani Kamberi u vetëvra”
TIRANË - Gani Kamberi, personi që denoncoi skandalin e tokave në Kashar, është vetëvrarë. Kjo është përgjigja përfundimtare e ekspertizës mjeko-ligjore. Analizat e dala dje kanë vërtetuar këtë fakt duke u vendosur në dosjen e Prokurorisë së Tiranes. Organi i akuzës vendosi zhvarrosjen e Gani Kamberit pas dyshimeve që Kamberi ishte vrarë dhe jo vetëvrarë, dyshime që i përforcoi edhe e shoqja e tij. Të dhënat e ekspertizës mjeko ligjore bëjnë të ditur kalimi i plumbit ne koke dhe pozicioni i tij vërtetojë atë që një mënyrë e tillë e të qëlluari vjen vetëm përmes një vetëvrasjeje. Pas kësaj prokuroria e Tiranës pritet të mbyllë dosjen dhe hetimet e kësaj çështje. Gani Kamberi, u gjet i vdekur buzë një përroi në Kashar tetorin e vitit që shkoi me një plumb në pjesën e pasme të kokës. Kufoma e Gani Kamberi u zhvarros për ekspertizën para pak kohësh me urdhër të prokurorisë së Tiranës pas pretendimeve të familjarëve se i afërmi i tyre është vrarë. Ndërkohë së fundmi Prokuroria e Tiranës ka ngritur hipotezën se Gani Kamberi, 50 vjeç, ishte vrarë përkundër asaj të ngritur në fillim se ai i kishte dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni.
7 Qershor 2008