E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet siguruan provën e Akuzës në rastet e korrupsionit

Aplikimi i këtyre metodave duke respektuar privatësinë e personave. “Task Forca” me oficerë Policie, prokurorë, ekspertë nga SHISH-i dhe Doganat

Luan Kondi

TIRANË – Përdorimi i përgjimeve për sigurimin e provave në funksion të goditjes së aferave korruptive dhe ndëshkimit të përgjegjësve të tyre ka rezultuar mjaft i suksesshëm për Task-Forcën. Pothuajse në të gjitha rastet e provave të sjella nga organi i Akuzës për veprat penale të korrupsionit janë siguruar nga përgjimet telefonike apo ambientale të realizuara me metodat speciale të hetimit. Njësia e ngritur pranë Prokurorisë së Tiranës për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë organizimit të përgjimeve.
Metodat speciale
Task-Forca ka përdorur si mjet për mbledhjen e provës përgjimet telefonike dhe ambientale në vende publike, që sipas drejtuesve të saj, kanë rezultuar të suksesshme. Hetuesit e kësaj njësie siguruan se aplikimi i këtyre mjeteve është bërë duke treguar kujdes maksimal për të respektuar privatësinë e personave, liritë dhe të drejtat e tyre. Në çdo rast është argumentuar qëllimi i vetëm në shërbim të zbatim të ligjit, jo si qëllim në vetvete, por si mjet i posaçëm për kërkimin e provës. Gjithashtu është treguar kujdes edhe në përdorimin e metodës së stimulimit të aktit korruptiv. Është synuar që të arrihet te prova përmes mjeteve esenciale të hetimit, konfirmuan gjatë analizës së dy ditëve më parë drejtuesit e Task-Forcës.
Rezultatet
Njësia e Përbashkët Hetimore për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit ka hetuar për periudhën (shtator 2007- maj 2008) 144 procedime penale me 153 persona të pandehur, nga të cilët 67 të pandehur me masë sigurie “arrest me burg”. Ndërsa 11 çështje me 26 persona të pandehur janë shqyrtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i ka shpallur fajtorë dhe dënuar të pandehurit e tyre. Po ashtu, janë dërguar për gjykim 28 çështje me 62 të pandehur, 14 procedime janë të pushuara dhe janë nën hetim dhjetëra procedime të tjera. 66 procedime penale janë për afera korruptive dhe krime në detyrë, me 78 të pandehur nga të cilët 48 me masë sigurimi “arrest me burg”. Të dhënat e publikuara dy ditë më parë gjatë analizës tregojnë punën e bërë nga kjo njësi, ku vlerësohen arritjet e kësaj strukture në luftën kundër krimit ekonomiko- financiar dhe korrupsionit. Njësia e Përbashkët Hetimore Task-Force përbëhet nga oficerë policie, prokurorë ekspertë nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›