Përfundojnë hetimet për bandën e Mirditës
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund të premten hetimeve mbi “Bandën e Mirditës”, anëtarët e dyshuar të së cilës akuzohen për një sërë veprash penale, mes tyre dhe për vrasjen e policit të Mirditës, Gjon Pacuku, ngjarje kjo e ndodhur 11 vjet më parë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, pas gati një vit hetimesh dosja penale për gjashtë të pandehurit e bandës së Mirditës, njëri prej të cilëve në mungesë, është dërguar për shqyrtim gjyqësor. Të pandehurit e kësaj çështje janë shtetasit Nikoll Syziu, Bardhok Syziu, Tom Syziu, Tom Gjoka, Arjan Reci si dhe Dritan Ndoi në kërkim. Pesë anëtarët e dyshuar të kësaj bande u arrestuan vitin e kaluar në operacione të organizuara nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mbi ta rëndojnë disa akuza si grabitje dhe plagosje të ndodhura gjatë vitit ‘97 në qytetin e Mirditës dhe rrethinat e tij.
7 Qershor 2008