Gjykata rrëzon kërkesën e anglezit
Tiranë - Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e anglezit David Braun për ndryshimin e trupit gjykues. Shkak për këtë vendim është bërë mos respektimi i afatit nga ana e të akuzuarit. Sipas gjykatës, Braun duhet të kishte depozituar kërkesën brenda tri ditëve që do të kishte konstatuar shkelje nga trupi gjykues gjatë procesit. Ky rregull nuk është zbatuar nga Braun dhe për rrjedhojë procesi gjyqësor do të vazhdojë sërish me të njëjtin trup gjykues. Deri tani procesi gjyqësor ndaj Braun është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak se dëshmitarët kryesisht kanë qenë të miturit që kanë jetuar në qendrën që drejtohej prej tij. Gjatë procesit u pohua se të miturit i kanë ndryshuar thëniet duke tërhequr në këtë mënyrë akuzat ndaj David Braun. Me gjithë ndryshimin e dëshmive, prokuroria ka një provë shumë të fortë ndaj akuzave për Robin Arnold, Dino Kristodulu dhe Devid Braun. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve. Devid Braun u arrestua në maj 2006 dhe prej asaj dite po përballet i vetëm me gjykatën për akuzat e pedofilisë dhe marrëdhënieve seksuale me dhunë. Ndërsa procesi tjetër për të njëjtin skandal pritet të nisë së shpejti duke qenë se pak ditë më parë u realizua ekstradimi i dy të akuzuarve të tjerë greko- britanikun Dino Kristodulu dhe italianin Robin Arnold.
7 Qershor 2008