E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e Gërdecit në grevë për dëmshpërblimin: “Do të vetëflijohemi”



VORË – Pasi kanë dërguar një sërë letrash, kërkesash dhe peticionesh në drejtim të institucioneve më të larta të shtetit, të cilat nuk kanë marrë përgjigje, ish-punëtorët e Fabrikës së Gërdecit deklaruan dje nisjen e një greve urie pa afat. Këtë e bënë të ditur punëtoret që kanë punuar në Fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec të Vorës, ku ndodhi shpërthimi me 15 mars të këtij viti, që shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 persona të plagosur. Të mbështetur dhe nga të afërmit e tyre, punëtorët u futën dje paradite në grevë urie pasi shprehën se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre nga qeveria. “Më datën 29 maj i kemi dërguar një letër kryeministrit, ku i kemi kërkuar të dëmshpërblehemi për tragjedinë që na ndodhi. Por pas kaq ditësh nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe kemi vendosur të hyjmë në këtë grevë me shpresën se hallet tona do të gjejnë zgjidhje”, - shprehet Andi Belli, njëri prej përfaqësuesve të grevistëve. Më tej ai vazhdon: “E kemi paralajmëruar qeverinë të plotësojë kërkesat tona dhe ajo nuk denjoi të na dëgjojë. Qeveria e di mirë që aty kanë vdekur 26 persona dhe duhet të jetë në pritje, pasi kjo listë do të rritet me ndonjë nga ne që kemi vendosur të flijohemi deri në plotësim të kërkesave”. Belli, është kryetari i Shoqatës së grevistëve të punëtorëve të fabrikës së Gërdecit. Ai deklaron se kërkesat e punonjësve të fabrikës janë vetëm të karakterit ekonomik. “Kemi hyrë në borxhe, kemi marrë vetëm 1 milion lekë të vjetër dëmshpërblim. Nuk dimë si të mbajmë familjet”, - thotë Belliu. “Ne punonim, çmontonim plumba dhe shumë nga ne u plagosën. As KEMP nuk lidhi shteti, pasi nuk ishim të siguruar nga pronari i fabrikës”, - shprehet një nga grevistët. Punëtorët pohojnë se të afërm të kryeministrit punonin në Fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec. “Kunati i tij, ekonomist, vinte, sillte e merrte kalibra me makinën e tij të shtrenjtë”, - tha një nga grevistët, duke i bërë thirrje qeverisë që t’i ndihmojë, pasi siç theksojnë ata, “është më e pakta nga ajo që na shkaktoi dora e shtetit në Gërdec”. Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të këtij viti, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë që banonin pranë zonës ku çmontoheshin armët.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›