Aksidentet, 2 të vdekur dhe 3 i plagosur në Fier dhe Lushnje
Dy aksidente të ndodhura gjatë 36 orëve të fundit në rrethet e Lushnjes dhe Fierit kanë shkaktuar një bilanc tragjik me dy të vdekur dhe dy të plagosur. Ngjarja më e rëndë ndodhi në qytetin e Lushnjës, ku një makinë ka rënë në kanal, duke shkaktuar vdekjen e një 50-vjeçari, dhe plagosjen e pasagjerëve të tjerë që ndodheshin në makinë. Sipas burimeve policore, aksidenti ndodhi dje në mëngjes rreth orës 10.00, në vendin e quajtur “Kthesa e Pirrës“. Për pasojë, ka humbur jetën shtetasi Gëzim Xhindole, i cili ka qenë duke drejtuar makinën tip “Benz” me targa LU 95 05 B. Mësohet se së bashku me viktimën në mjet udhëtonin dhe tre persona si pasagjerë, të cilët kanë marrë plagë, por janë jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe ka rënë në kanalin anësor të rrugës. Grupi hetimor po punon për dokumentimin ligjor të ngjarjes. Ndërsa mbrëmjen e së premtes, ka gjetur vdekjen aksidentalisht një 42-vjeçar nga fshati Radostinë i rrethit të Fierit. Ai është paraqitur në Spitalin Rajonal rreth orës 00.15 minuta. Pas hetimeve të para rezultoi se shtetasi Pajtim Fasko është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen pasi është përmbysur zetori me të cilin punonte plantacionin me ullinj në pronësi të tij.
Mësohet se 42-vjeçari ka qenë duke ujitur ullinjtë në një terren të pjerrët. Grupi hetimor ka gjetur në parcelën e ullinjve një traktor me goma me targa FR2980 A, të përmbysur dhe me kabinë të shtypur. Materialet i kaluan prokurorisë, ndërkohë që grupi hetimor po punon për dokumentimin zyrtar të ngjarjes dhe shkaqeve të vdekjes të 42-vjeçarit Fasko.
Operacioni “Deti i pastër”, bllokohen 8 mjete lundruese
SHKODËR – Të paktën 8 mjete që lundronin në mënyrë të kundërligjshme në det janë bllokuar nga forcat e rendit. Ndalimi i tyre u bë gjatë realizimit të operacionit “Deti i Pastër” i organizuar nga strukturat e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Sipas burimeve policore, aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka vazhduar gjatë gjithë ditës, deri në orët e mbrëmjes. Në këtë operacion kanë marrë pjesë rreth 30 forca policie, 5 mjete lundruese dhe 3 makina. Skuadrat e Policisë Kufitare të Qarkut të Shkodrës kanë kryer një sërë kontrollesh përgjatë një vije bregdetare prej 15 kilometrash, duke filluar që nga Velipoja deri në Shëngjin. Sipas të dhënave zyrtare, operacioni i zhvilluar në det, është mbështetur edhe nga forcat e rendit, të cilat kanë krehur të gjithë zonën përgjatë bregdetit që përfshihet në territorin e Qarkut të Shkodrës. Moratoriumi “Anti-skaf” ndalon lundrimin e mjeteve lundruese për një periudhë disa vjeçare. Të drejtën për të lëvizur në ujërat territoriale shqiptare e kanë vetëm një kategori e caktuar personash, sipërmarrjesh dhe institucionesh.
Dyshimet për mbytje, kërkohet punonjësi i hotelit në Golem
DURRËS – Një alarm për zhdukjen e punonjësit të një hoteli në Golem ka detyruar forcat e Policisë Kufitare të Qarkut të Durrësit që të nisin kontrollet përgjatë vijës bregdetare. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se është denoncuar humbja e shtetasit Leon Stafa. Ai kishte dalë për lundrim me një motor uji. Pas kontrolleve të shumta, policia gjeti mjetin lundrues, por ende nuk ka gjetur Stafën, i cili është i punësuar në një hotel në zonën turistike të Golemit. Policia ende nuk konfirmon nëse ai është mbytur apo jo. Deri më tani në plazhet tona kanë gjetur vdekjen 2 të moshuar nga Kosova në zonën e Velipojës.
14 Korrik 2008