Bota fillon të braktisë makinat e mëdha që harxhojnë
Vetëm gjatë ditës së djeshme, kompania amerikane e prodhimit të makinave “General Motors” pati një rënie të aksioneve me 15 për qind, duke pësuar humbjen më të madhe që prej vitit 1954. Kompania e njohur në të gjithë botën për prodhimin e makinave “Hammer” po përballet me një krizë të pashoqe, vetëm si pasojë e rënies së fuqisë blerëse. Pas kësaj krize qëndron çmimi i naftës dhe sipas specialistëve një falimentim i “General Motors” nuk është i pamundur. Por pse bota po braktis makinat me motorë të mëdhenj dhe po drejtohet në ato të përmasave të vogla. Çelësi qëndron pas çmimit të karburanteve, që gjatë ditës së djeshme theu një rekord të ri prej 145 dollarë për fuçi. Ndërsa në tregun vendës, nafta po tenton drejt 170 lekë për litër. Grosistët presin rritje të reja që mund ta çojnë çmimin e arit të zi, në fund të këtij viti, drejt nivele që as nuk ishin menduar më parë. Me këto çmime të karburanteve, llogaria bëhet më e thjeshtë për të gjithë ata që blejnë një makinë. Tashmë një makinë njëcilindrate 3 000 cc mund të ketë një shpenzim vjetor tepër të lartë për të ardhurat e një shqiptari. Shpenzimet për karburant janë kthyer në një zë të rëndësishëm për çdo pronar makine, por që sipas të dhënave, ende nuk kanë dhënë një ndikim të dukshëm në preferencat e konsumatorëve shqiptarë në makinën që ata blejnë.
14 Korrik 2008