E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi fals për bombë, policia shoqëron katër persona



Luan Kondi

Tiranë - Policia ka identifikuar telefonuesit për alarm fals për bombë në Aeroportin e Rinasit. Burime të sigurta thanë për gazetën se dje janë shoqëruar katër persona që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Mes tyre janë verifikuar edhe telefonuesit e rremë të cilët kanë dashur të bëjnë një shaka me median e njohur ku edhe kanë “denoncuar” gjoja vënien e një bombe në emër të të ashtuquajturës “Brigada e Kuqe”.
Përgënjeshtrimi
Policia njoftoi dje se ka identifikuar autorët që mendohet se bënë një ditë më parë telefonatën anonime për bombë në Aeroportin “Nenë Tereza” Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, grupi hetimor po punon për dokumentimin ligjor të autorësisë së të dyshuarve si përgjegjës për këtë ngjarjeje, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit. Nga të dhënat hetimore rezulton se nuk behet fjale për persona me tendenca terroriste. Ndërkohë që policia ka arritur të zbulojë se telefonata është bërë nga një kabinë telefonike pranë Liceut Artistik në Tiranë.
Sipas njoftimit uniformat blu kanë dijeni për autorët e mundshëm të telefonatës së panikut për Rinasin. Policia e Shtetit beri të ditur se ata tashme janë identifikuar, por për arsye të hetimeve të mëtejshme nuk publikon emrat e tyre. “Për arsye hetimore, emrat e tyre nuk mund të bëhen publik”, - thanë burime nga Policia. Policia e Shtetit, strukturat e specializuara të krimit të policisë në Krimet e Renda kanë arritur të identifikojnë dhe të hedhin dyshime konkrete për autoret e telefonatës së rreme. “Nga këto struktura po punohet për dokumentimin plote ligjor te autorësisë”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.
Telefonata
Një telefonues nuk ka preferuar të njoftojë policinë, por redaksinë e një medieje të njohur. Në atë moment ora shënonte 14:28 dhe vetëm kaq ka mjaftuar që forca të shumta policie të mbërrinin me urgjencë në aeroport dhe të nisnin kontrollin e imtësishëm. Uniformat blu kanë bërë evakuimin e pasagjerëve nga ambientet e aeroportit, që ishte i tejmbushur me turistë vendas dhe të huaj. Pas një komunikimi të shpejtë me personelin është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve të planifikuara dhe madje për shkaqe sigurie janë njoftuar nga kulla e kontrollit të trafikut ajror uljet e avionëve që vinin për në Rinas. Policia ka aktivizuar qentë anti-eksploziv për gjetjen e bombës, por ata nuk kanë mundur të gjejnë asgjë. Orë të tëra paniku përfshinë aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pas atij njoftimi telefonik për ekzistencën e një bombe në ato ambiente. “Alarmi për bombë ishte i rremë”, - u tha në deklaratën e policisë pas kontrollit të të gjithë terminalit të Rinasit. Duket sikur telefonuesi nuk ka pasur asnjë synim tjetër përveçse të vërë në provë efektivat blu se si do të reagonin. Pas 45 minutash kontroll gjithandej që nga momenti i dhënies së alarmit, policia ka deklaruar se Aeroporti i Rinasit ishte i sigurt dhe se nuk ka asnjë eksploziv të vënë në të. Sipas të dhënave të policisë, në vendin e ngjarjes aktualisht gjithçka i është kthyer normalitetit dhe rreziku ka kaluar. Udhëtarët janë kthyer në terminal dhe gjithashtu edhe personeli i aeroportit është duke vazhduar punën normalisht.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›