Prangoset për trafik, kaloi dy klandestinë drejt Greqisë
PËRMET - Policia kufitare e rrethit të Përmetit ka ndaluar në flagrancë në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, shtetasin Ilir Hoxha, 23 vjeç, lindur dhe banues në Përmetit. Ilir Hoxha është ndaluar në flagrancë rreth 25 kilometra larg vendbanimit, në afërsi të fshatit Çarshovë, pasi ndihmonte për të kaluar kufirit në mënyrë të paligjshme për dy shtetas, kundrejt një vlerë prej 2500 euro secili. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.
Kapet në plazh, ishte dënuar për trafik prostitucioni
DURRËS – Kërkohej nga policia e Fierit pasi ishte dënuar për trafik prostitucioni por është prangosur nga policia e Durrësit. 33-vjeçari Arian Halili, lindur në Berat dhe banues në qytetin bregdetar është ndaluar të shtunën, rreth orës 01.00 në sektorin “Teuta” të plazhit. Sipas policisë së Durrësit, ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit tre vjet më parë. 33-vjeçari Halili, i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, në janar të vitit 2003 ishte dënuar në mungesë nga gjykata e Fierit me 8 vjet heqje lirie për veprën penale “të shfrytëzimit të prostitucionit”.
Arrestohet një 31-vjeçar, mbante pa leje armë luftarake
LIBRAZHD - Është arrestuar në flagrancë Genti Brahja, me banim në qytetin e Librazhdit, pasi në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar nën cilësinë e provës materiale 35 pako kapsolla detonatorë, me nga 100 copë secila. 31-vjeçari, i cili ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë Librazhd, akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Gjendet pas 50 ditësh i denoncuari si i zhdukur
DURRËS – Pas rreth dy muajsh është gjetur një person, i denoncuar si i zhdukur në rrethin e Dibrës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë e mundur gjetja dhe dorëzimi tek familjarët i shtetasit Astrit Daci, lindur në Dibër dhe banues në lagjen Nr. 15 në qytetin bregdetar. Sipas tyre, 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim që më datë 22 maj nga ana e Komisariatit të Policisë së Durrësit si person i humbur pasi është larguar nga banesa pa lënë asnjë adresë në familje.
14 Korrik 2008