Zjarr në malin e Taraboshit rrezikon antenat e televizioneve
SHKODËR – Flakët e zjarrit përfshinë pasditen e së shtunës shpatin e malit të Taraboshit, duke rrezikuar edhe qendrën e antenave të stacioneve televizive, e cila ndodhet fare pranë vendit të përfshirë nga zjarri. Burime nga sektori i Zjarrfikësve të Prefekturës së Shkodrës thanë se "zjarri ka djegur pjesërisht një sipërfaqe shkurresh në vendin e quajtur “Qafa e Zusit”, në shpatin e malit të Taraboshit". Megjithë terrenin e vështirë mësohet se forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuara edhe nga forcat e ushtrisë. Të gjitha skuadrat anti-zjarr kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes për shmangien e rrezikut. Ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri. Në lidhje me këtë çështje po hetojnë strukturat e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Ky është rasti i katërt që bie zjarr në rrethin e Shkodrës. Dy ditë më parë u përfshinë nga flakët masivet malore të Hasit. Për pasojë u dogjën rreth 5 ha pyje. Me rritjen e temperaturave janë regjistruar zjarre edhe në Gjirokastër, Vlorë, Berat, Fier, Elbasan, Sarandë, etj. Ndërkohë që janë arrestuar disa persona. Dje Ministria e Brendshme njoftoi marrjen e masave për ruajtjen e parqeve kombëtare.
14 Korrik 2008