E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen tre automjete luksoze të vjedhura jashtë shtetit



TIRANË- Tre automjete luksoze, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë shtetit, u bllokuan nga Seksioni Kundër Trafiqeve i Policisë së Tiranës, gjatë një aksioni të zhvilluar në 24 orët e fundit. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se si rezultat i këtij aksioni u bllokua automjeti tip BMV, me targë BY617EP, i drejtuar nga Erjon Rrushi, i cili është vjedhur në Serbi. Gjithashtu u bllokua automjeti tip “Kadillak Escalade”, me targë LU 198904, në pronësi të shtetasit Ermal Laçi, automjet i vjedhur në Zvicër më datë 10 Korrik 2003. Policia tha se Laçi është shpallur në kërkim pasi braktisi automjetin në momentin e kontrollit dhe u largua në drejtim të paditu. Gjatë aksionit të ndërmarrë në 24 orët e fundit u bllokua dhe autovetura tip “Volksvagen”, me targa TI 212980, e denoncuar e vjedhur në Itali më datë 14 nëntor 2006. Gjatë momentit të kontrollit ky mjet drejtohej nga 18 - vjeçari Blerim Rrenollari. Ndërkohë, sipas policisë, mendohet se ky automjet është trafikuar nga shtetasi zviceran Samuel Kramerr.

Ekstradohet nga Italia i shumëkërkuari për vrasje të trefishtë

TIRANË - Në orët e para të mëngjesit të sotëm është ekstraduar nga Italia një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë. Kështu, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën kryen ekstradimin e shqiptarit 45 vjeçar Luan Fusha, nga Skrapari. Për shtetasin Luan Fusha, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Lushnjë, më datë 08.05.2008, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim (tre herë)” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Shtetasi Luan Fusha akuzohet se më 14 gusht 1998, në qytetin e Divjakës, pranë një lokali, ka vrarë për motive hakmarrje shtetasit Armand Kokoneshi, Edmond dhe Dhimitër Beshuri. Ka qenë bashkëpunimi i Interpol-Tiranës me Interpol-Romën që bënë të mundur arrestimin e Luan Fushës më 28.05.2008. Në aeroportin “Nënë Tereza”, Rinas, ky shtetas i’u dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Burgjeve.

Pranga dy të rinjve, dyshohen për trafik të lëndëve narkotike

Tiranë – Dy të rinj janë vënë në pranga nga policia pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike. burime të sigurta thanë përt gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës realizuan kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Eljon Alushit, 18 – vjeç dhe Elvis Muça, 21 – vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse mbi bazën e grumbullimit të saktë të informacioneve, u konkludua se këta persona në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kryenin shitjen e shpërndarjen e lëndëve narkotikeve, përreth zonës së Kombinatit. Vetëm dy ditë më parë rreth orës 12:00, në rrugën “Fabrika e Qelqit” në Kombinat u kapën në flagrancë, ku pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar ndaj tyre, ju gjetën shtetasit 18 - qese transparente brenda së cilës kishte bimë të dyshuar narkotike Canabis sattiva si dhe një copë gazetë e mbështjellë, të cilat brenda saj ndodhesh një lloj bime e dyshuar si narkotike Canabis sattiva.
Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan : sasia prej 56.3 gram bimë e dyshuar lënde narkotike Canabis sattiva e ndarë në 19 qese dhe një telefon celular. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›