Tatimorët në aksion, 260 kontrolle nëpër biznese për të pasiguruarit
Inspektorët tatimorë ushtruan rreth 260 kontrolle tatimore në rrethet kryesore të vendit etëm në javën e fundit me qëllimin kryesor evidentimin e punonjësve pa sigurime shoqërore. Burimet zyrtare në DPT thanë për gazetën se, “policia dhe inspektorët tatimorë në 10-ditshin e parë të korrikut kanë ushtruar kontroll në rrethin e Tiranës, Lushnjës, Fierit, Elbasanit, Vlorës, Durrësit dhe Kavajës, duke verifikuar subjektet për regjistrimin e tyre në organin tatimor dhe deklarimin e punonjësve për sigurime shoqërore”. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në transport për regjistrimin në organin tatimor dhe lëvizjen e dokumentuar të mallrave, në akset rrugore hyrëse të qytetit të Tiranës. Kështu janë vendosur gjithsej 15 gjoba për TVSH-në dhe 7 gjoba me vlerë 620 000 lekë për mos regjistrim të punonjësve në sigurimet shoqërore. Gjatë kontrolleve në transport për lëvizjen e dokumentuar të mallrave janë konfiskuar: Cigare, pije alkoolike, lëngje të ndryshme, paketa cigaresh, mallra ushqimore, celularë. Janë kryer 11 konfiskime, nga të cilat në masë të madhe kanë qenë lëngjet e ndryshme.
Rriten 6 për qind më shumë eksportet e prodhimeve me fason
Eksportet e prodhimeve me fason në 6 muajt e parë të vitit u rritën me 6% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bënë të ditur burimet e INSTAT-it. Eksportet shqiptare të industrive me fason, kryesisht konfeksione, lëkurë-këpuca etj., kanë orientim tregjet e BE-së, dhe ku peshën kryesore e zë Italia, Greqia dhe Gjermania, vende të cilat janë dhe tregjet kryesore. Në vitin 2007 ky grup prodhimesh shqiptare zunë peshën kryesore dhe më të madhe të eksporteve shqiptare, me 65 për qind në totalin e eksporteve. Rritja e eksporteve shqiptare për industritë me fason kanë ecur në një vijueshmëri pozitive gjatë 10 viteve të fundit, çka tregon se Shqipëria i ka në zhvillim avantazhet për të rritur mundësitë e eksporteve të këtyre produkteve.
14 Korrik 2008