E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunojnë e kërcënojnë minorenen

22/07/2009  Përdhunimi, 16-vjeçarja denoncon dy muaj më vonë, sepse kërcënohej

Policia shpall në kërkim të dyshuarin dhe ndihmësin e tij

ELBASAN - Përdhunohet dy muaj më parë nga dy djem, por vetëm dje ka mundur të paraqitet në polici. Një 16-vjeçare, banore në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Elbasanit, i është drejtuar policisë, pasi ka vendosur të bëjë kallëzimin e saj kundër dy të rinjve për marrëdhënie seksuale me dhunë. Vajza e ka justifikuar vonesën e denoncimit me faktin se autori e kërcënonte, ndërkohë që ka treguar me detaje se si ka ndodhur ngjarja. Sipas saj, vetëm kur ka vendosur t’i tregojë familjes për përdhunimin ka shpëtuar nga kërcënimi i të riut. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy muaj më parë shtetasja me inicialet XH.M, e vitlindjes 1993, deklaron se është detyruar nga shtetasi Pirro D., 26 vjeç, lindur në Gjirokastër e me banim në lagjen “Syrja Dylgjeri”, dhe një shok i tij, i panjohur, të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë. E mitura ka thënë se është mashtruar fillimisht nga dy të rinjtë, të cilët e kanë çuar në një vend të veçuar dhe atje e kanë përdhunuar. Sipas dëshmisë së saj, ajo njihte vetëm një nga të rinjtë dhe është gjendur përballë dhunës dhe detyrimit të tyre duke mos mundur të reagojë. Për ditë të tëra përdhunuesi e ka kërcënuar që ajo të mos fliste, pasi në të kundërt ai do ta vriste. E frikësuar, vajza ka mbajtur sekretin për rreth dy muaj, por s’ka mundur më tej, pasi në familje ishte kuptuar se diçka tek ajo nuk shkonte. Kështu, pyetjeve të përditshme të nënës ajo u është përgjigjur së fundi me të vërtetën. Kjo ka mjaftuar që prindërit të marrin vajzën e t’i drejtohen policisë. Pasi ka regjistruar dëshminë e vajzës, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Pirro D. nën akuzën e ngritur për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur. Gjithashtu nga ana e agjentëve po punohet për identifikimin e autorit tjetër të përdhunimit. Ndërkohë vajza i është nënshtruar një analize mjekoligjore dhe po kështu i është afruar shërbimi i psikologut.

Rastet e përdhunimit, denoncimi i vështirë

Rastet e dhunës seksuale nuk kanë munguar dhe ka pasur raste si nga zonat rurale, ashtu dhe urbane. Kështu, pak muaj më parë rasti i një vajze shtatzënë me dy kushërinjtë e saj në një fshat të Gracenit është ndjekur edhe nga dhunime apo tentativa përdhunimi, që në shumë raste mbeten pa ndëshkuar. Kjo sipas specialistëve të policisë vjen sepse vajzat apo gratë nuk ndjekin shkallët e drejtësisë nga frika e opinionit dhe nga problemet që mund të kenë nga këta persona. Ka edhe raste kur ka denoncime false. Gjithsesi, dhuna seksuale mbetet ende një tabu për t’u denoncuar. Ajo fizike është më e dukshme dhe më e verifikueshme, sipas specialistëve. Femrat e vuajnë shumë fenomenin “dhunë” dhe shpesh tek ato reflektohet depresion dhe sjellje të tjera, që i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›