E Diel, 1 Nëntor 2026

Luante bixhoz me para të falsifikuara, arrestohet 28-vjeçari

22/07/2009  Pas kontrollit gjenden në banesë dhe 2 mijë lekë false

ELBASAN - Ka menduar të fitojë pa harxhuar asnjë lek duke përdorur para të falsifikuara, por është zbuluar në kohë nga përgjegjësit e lokalit, duke përfunduar në prangat e policisë. Ngjarja është regjistruar në lagjen “Kongresi i Elbasanit” në një pikë lojërash fati, kur shtetasi 28-vjeçar E. Mehmeti, me banim në lagjen “Kala”, i dënuar edhe më parë për vjedhje, ka tentuar të përdorë një kartëmonedhë 1000-lekëshe të falsifikuar. Menjëherë kartëmonedha është verifikuar nga pronarët, të cilët, pasi kanë konstatuar mungesën e disa shenjave të sigurisë, kanë njoftuar policinë. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të të riut dhe ka bërë kontroll në banesën e tij. Nga ky kontroll janë gjetur edhe tri kartëmonedha të tjera 1000-lekëshe të ngjashme me të parën, të cilat dyshohen si të falsifikuara. Kartëmonedhat po verifikohen nga specialistët dhe është marrë në pyetje poseduesi për prejardhjen e tyre. Nga ana e agjentëve të policisë është duke u hetuar edhe fakti se kartëmonedha të tilla mund të jenë hedhur në qarkullim edhe në qytete të tjera. Kështu, po merret informacion në shumë pika të lojërave të fatit nëse kanë konstatuar kartëmonedha të dyshuara si false gjatë aktivitetit të tyre. Qarkullimi i parave false tashmë po kthehet në një fenomen. Vetëm pak ditë më parë policia arrestoi një shtetas dhe shumë kartëmonedha të prerjes 2000-lekëshe, një prej të cilave ai po e përdorte për të blerë karburant.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›