E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esktradohet nga Anglia, "ortaku" i Dritan Vilës

Edmond Kallmi, është dënuar me 12 vite, për një vrasje në vitin '98 në Kuçovë


TIRANË- Ekstradohet nga Londra, Edmond Kallmi "ortaku" Dritan Vilës, njërit prej anëtarëve të Bandës së Lushnjes, i dënuar me 12 vjet burg për "vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim" pikërisht me Dritan Vilën. Edmond Kallmi, 35 vjeç, lindur në Kuçovë, i njohur dhe si një nga miqtë e Dritan Vilës, i kërkuar nga drejtësia shqiptare, ka ardhur nga Britania e Madhe me pranga në duar, në orët e vona të ditës së martë.


Lajmi për ekstradimin e Kallmit është bërë i ditur dje për "Shekullin" nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Interpol Tirana kreu ekstradimin e të dënuarit për një vrasje të kryer në vitin 1998, pas vendimit përfundimtar të autoriteteve britanike për ekstradimin e Kallmit në Shqipëri.


Edmond Kallmi është dënuar në mungesë 12 vjet burg, nga Gjykata e Beratit me vendimin nr. 3, datë 12 janar 2000, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e një personi në qytetin e Kuçovës. Vrasaj për të cilën është gjykuar dhe shpallur fajtor Edmond Kallmi ka ndodhur më 12 shtator të vitit 1998, në fshatin Perondi, në Kuçocë, ku nga të shtënat me armë në drejtim të shtëpisë së banorit të fshatit Hamit Baci, mbeti e vdekur bashkëshortja e tij Ariana Baci.


Nga të dhënat e Policisë mësohet se i ekstraduari Edmond Kallmi, bashkë me njërin prej anëtarëve të Bandës së Lushnjes, Dritan Vilën, qëlluan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së Hamit Bacit, njërit prej banorëve të fshatit Perondi, me qëllim ekzekutimin e tij. Por plumbat nuk prekën objektivin e Edmond Kallmit dhe Dritan Vilës dhe nga të shtënat me kallashnikov mbeti e vdekur në vend bashkëshortja e Hamit Bacit, Ariana.


Nga burimet zyrtare të Policisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje mes dy të dënuarve dhe Hamit Bacit, në një lokal në fshatin Perondi të Kuçovës. Pas vrasjes, dy autorët largohen nga vendi i ngjarjes, ku Kallmi do të largohej në Britani të Madhe, për t'i shpëtuar arrestimit nga Policia Shqiptare për vrasjen e ndodhur në shtator të vitit 1998.


Në vitin 2000, 11 vjet pas vrasjes që kishte kryer në bashkëpunim, Kallmi ka kërkuar azil në Britaninë e Madhe, duke dhënë të dhëna të rreme nën emrin Martin Buzi. Në dhjetor 2006, ai u arrestua nga policia në veri të Londrës pas një sherri në një pub. Nga krahasimi i shenjave të gishtave, rezultoi se ishte person në kërkim nga zyra e Interpol Tiranës.


Pas arrestimit të Kallmit në Londër qeveria shqiptare bëri kërkesa për ekstradimin e tij, e cila iu dorëzua autoriteteve britanike më 18 janar 2007. Do të duhej të kalonin dy vjet e gjysmë që të përfundonin procedurat për ekstradimin e Edmond Kallmit.



Vila i Dënuar për krimet e bandës së Lushnjes


është një nga anëtarët e bandës së Lushnjës, i cili Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me burg të përjetshëm. Ky i fundit ka marrë dënimin maksimal nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për marrje pjesë në grup të strukturuar kriminal, vrasje, plagosje të rëndë si dhe vepra të tjera penale të kryera në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të bandës, ku drejtuesi i saj ishte Aldo Bare, i arrestuar në Turqi.


Vila është arrestuar në fillim si përdorues droge dhe si person i akuzuar për vrasjen e kryer në fshatin Perondi, në Kuçovë, në bashkëpunim me Edmond Kallmin. Anëtari Bandës së Lushnjes është dënuar si autor i disa vrasjeve të kryera në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të bandës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›