E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, 4 të vdekur dje, tre janë emigrantë

 

SHKODER/ PEQIN

Aksidente të rënda janë regjistruar edhe dje në akset e vendit, bilanci i të cilave janë 4 të vdekur e 4 të plagosur. Tre emigrantë gjetën vdekjen në Velipojë të Shkodrës, ndërsa në Peqin, si pasojë e përplasjes së dy mjeteve gjeti vdekjen një person dhe katër të tjerë u plagosën rëndë. Ngjarja e parë tragjike ndodhi rreth orës 02:00 të së enjtes në aksin Velipojë – Shkodër, ndërsa viktimat, dy prej të cilëve vëllezër, janë gjetur vetëm pasi ka zbardhur dita. Të aksidentuarit janë Përparim Haliçaj, 36 vjeç, Burim Haliçaj, 32 vjeç dhe Selami Hakaj, 27 vjeç nga Shkodra. Ata janë gjetur nga drejtues mjetesh të tjera rreth orës 06:30 në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Ded Gjon Lulit”. Mësohet se automjeti tip BMW, ngjyrë e zezë, me targa FL 03YNC, ka qenë duke lëvizur nga Velipoja në drejtim të Shkodrës, ku ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Tre viktimat janë identifikuar me vështirësi, pasi dokumentet që ata kishin me vete ishin në emrat e shtetasve kosovarë që jetojnë në Angli. Dy vëllezërit Haliçaj dhe kushëriri i tyre i parë, Hakaj, ishin nisur të vizitonin të afërmit e tyre pasi kishin ardhur në Shqipëri ditët e fundit për pushime. Të mërkurën ata kanë shkuar në plazhin e Velipojës për të takuar kushërinjtë e tyre që ishin me pushime atje. Sipas njërit prej të afërmve të viktimave, ka qenë ora 02:00 kur tre emigrantët që kishin darkuar deri vonë, janë përshëndetur e ndarë me ta duke iu thënë se do niseshin për në Shkodër. Përgjumja e drejtuesit të mjetit Përparim Haliçaj, shpejtësia e mjetit, por edhe konsumimi u alkoolit dyshohet se kanë sjellë aksidentin fatal për tre personat. Sipas policisë, kanali ku viktimat kanë rënë ishte tre metra i thellë, çka dyshohet se përveç plagëve të marra ata janë asfiksuar edhe nga uji. Ndërkohë, mbrëmë rreth orës 21:00 një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në unazën e qytetit të Peqinit. Makina tip “Golf” me targë VL 5584 C dhe mjeti tip “Renault” me targa të huaja, INE 5408, janë përplasur duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen rëndë të katër të tjerëve. Sipas policisë së Elbasanit, viktima është 31-vjeçari Besnik Omeri, i cili drejtonte makinën me targa të Vlorës. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin e Elbasanit. Njëri prej tyre, Avni Xhepi, pas ndihmës së parë u dërgua në Spitalin Ushtarak, për shkak se gjendja e tij ishte në rrezik për jetën. Ndërsa viktima u dërgua në morgun e qytetit. Ngjarja ka vënë në alarm policinë e Peqinit, por edhe atë të Elbasanit. Ditët e fundit, për shkak të aksidenteve të rënda që kanë ndodhur në vend, blutë kanë marrë udhëzime për shërbim 24 orësh dhe ndëshkim të rreptë të kundërvajtësve. Sipas burimeve të policisë, bazuar edhe nga puna e ekspertëve të qarkullimit, mjetet kanë pësuar përplasje tepër të fortë për shkak të shpejtësisë. Njëra prej makinave ishte e një emigranti të sapokthyer për pushime pranë familjes së tij.      r.d/ a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›