Në gjyq banda e 480 kg heroinë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda çon në gjyq një grup prej pesë personash të akuzuar për trafikimin e 486 kilogramëve heroinë nga Shqipëria në Itali në periudhën 2003-2004. Sasia e drogës prej rreth gjysmë toni, sipas Prokurorisë është trafikuar në 18 episode të cilat janë zbuluar nga policia italiane e cila ka arrestuar korrierët e lëndës narkotike, duke bllokuar makinat e transportit si dhe heroinën. Alket Hatia, Hekuran Hoxha, Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Saimir Gjepali, të arrestuar në 10 shtator 2008 nga Krimet e Rënda, akuzohen se në bashkëpunim mes tyre kanë trafikuar në Itali nga Shqipëria rreth gjysmë toni heroinë, duke përdorur korrierë të ndryshëm në periudhën 2003-2004. Burime nga prokuroria e Përgjithshme thanë se prokurorët e çështjes Adnand Xholi dhe Edvin Kondili, mbyllën hetimet dhe dërguan dosjen në gjykatë me akuzat “trafik narkotikësh”, “organizim e drejtim i organizatës kriminale” dhe “mbajtje pa leje armësh e municioni luftarak”. Prokuroria ka dokumentuar gjithë episodet e trafikut edhe mbi bazën e provave të ardhura nga Italia, duke identifikuar korrierët për çdo rast. Baza kryesore e grupit mësohet se ka qenë në Shijak të Durrësit.
Episodet e
trafikut
Rasti i parë i trafikut është ai i 21 janarit 2003, kur është arrestuar korrieri i drogës Bajram Ndreçaj me 38 kg heroinë, gjetur në mjetin e tij “Citroen”. Arrestimi ndodhi në Itali, Rexhio Emilia, pranë një restoranti Mc Donald’s. Trafikimi i drogës sipas akuzës, ishte organizuar nga Hekuran e Fatbardh Hoxha. Episodi i dytë, ndodh më 9 shkurt 2003. Në këtë kohë arrestohet korrieri Artur Shahini me 21.750 kile heroinë. Korrieri ka hyrë në Itali nga porti i Ankonës, ndërsa është arrestuar në Milano, ku është bërë kontroll në makinën e tij tip “Golf” dhe është gjetur droga. Trafikimi ishte organizuar nga Fatbardh e Hekuran Hoxha, që angazhuan të arrestuarin në rolin e korrierit. Më 17 shkurt 2003, ndodh episodi i tretë, policia arreston në dalje të Milanos, korrierin Florenc Biba, me 19.5 kilogramë heroinë në mjetin “Wolkswagen”. Veç Fatbardh e Hekuran Hoxhës, për organizimin e këtij rasti akuzohet edhe Alket Hatija. Më 16 mars 2003 kapet me 22 kile heroinë korrieri Dritan Sulçe. Arrestimi ndodhi në autostradën e Termolit pas gjetjes së drogës në mjetin “Audi”, ndërsa organizimi i këtij episodi është bërë nga Alket Hatija. Korrieri Gazmir Shoshaj arrestohet më 3 prill 2003 me 9.6 kile heroinë në lokalitetin Usmate-Velate, Itali. Për organizimin e këtij rasti prokuroria akuzon Hekuran Hoxhën dhe Alket Hatijan. Dhjetë ditë më vonë, policia italiane arreston korrierin Eduart Daiu me 23.5 kile heroinë. Akuza thotë se organizimi i trafikut është bërë nga Fatbardh e Hekuran Hoxha ndërsa droga u kap në Quattro Castella Itali në makinën e banesën e korrierit. Më 14 maj 2003, policia italiane sekuestron 21 kile heroinë dhe arreston korrierin e saj, Alket Cjapi. Prokuroria akuzon si organizatorë në këtë rast, Sajmir Gjepalin, Alket Hatijan dhe Mentor Shehun. Droga u kap në Via Brembo, Milano në autoveturën “Nissan”. Pak kohë më vonë, më 1 korrik 2003, arrestohen korrierët Bari e Hizde Kadrija me 11 kile heroinë në mjetin “Audi 80”. Arrestimi u bë pranë portit në Ankona. Më 6 korrik 2003, sipas akuzës, Alket Hatija mblodhi të ardhura nga blerësit në Itali përmes Eduart Kishtës dhe organizoi dërgimin e 16.5 kileve të tjera heroinë. Ato u bllokuan pranë pikës së karburantit Q8 në Vasto Nord, me veturën “Wolkswagen” Passat. Dy korrierë të tjerë, Eduart Kishta dhe Adem Sokoli, arrestohen në dy makina me 35 kile heroinë më 29 korrik 2003 pranë daljes së autostradës Lesina. Prokuroria thotë se rasti u organizua nga Alket Hatija. Më 6 gusht 2003, prangoset korrieri Sokol Karaj me 5.5 kilogramë heroinë në Foxhia. Aksionet e policisë italiane vazhdojnë më 22 gusht 2003 kur korrieri Arjan Matera bie në pranga pranë një pike të shërbimit Agip, me 31.7 kile heroinë në makinën e tij “Audi”. Më pas, më 17 shtator 2003, policia italiane bllokon edhe 16.5 kile heroinë të tjera në makinën e shtetasit Francesko Aportone i përdor si korrier në këtë rast nga Alket Hatija që akuzohet si organizator i trafikut në këtë episod. Më 1 nëntor 2003 korrieri Naser Suli arrestohet me 14.2 kile heroinë, e cila trafikohej “me porosi” të Alket Hatijas, Droga u gjet në mjetin BMW në Komunën e Montenero di Bisaçia. Ndërhyrja e policisë u bë në momentin e dorëzimit të lëndës narkotike tek porositësi i saj. Sasia tjetër e drogës është bllokuar më 8 dhjetor 2003, kur policia kapi 32 kile heroinë në makinën Passat të shtetasit Agim Merdita. Prokuroria akuzon Saimir Gjepalin për organizimin e këtij rasti duke komunikuar me një person në Itali, të cilit i konfirmon nisjen e drogës nga Shqipëria. Në 25 shkurt 2004 policia italiane bllokon ngarkesën e radhës me drogë, 12 kile heroinë ndërsa arreston korrierin e saj Lherm Dominique. Droga ishte nisur nga Durrësi dhe hyri në Itali përmes Ankonas. Më vonë, më 6 mars 2004, policia italiane kap ngarkesën më të madhe të drogës, 70 kile heroinë e cila trafikohej nga korrieri Andrzej Levandovski, i “pajtuar” nga Hekuran Hoxha. Narkotiku ka hyrë në Itali nga Shqipëria përmes Barit. Episodi i fundit është ai i datës 15 prill 2004 kur është kapur ngarkesa me 52.7 dhe 33.6 kg heroinë duke u trafikuar nga korrieri Ardjan Hoxha. Për këtë rast, si organizatorë prokuroria dyshon se është tentuar të zëvendësohej droga e kapur me parë korrierit Andrzej Levandovski. Heroina është kapur në mjetin “Alfa Romeo”, 146 me targa AN749NK.
Të akuzuar
Alket Hatia
Hekuran Hoxha
Fatbardh Hoxha
Mentor Shehu
Saimir Gjepali